Evis HALILI
Kur pesë vjet më parë në Programin Vjetor i Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e projekteve të interesit nacional u përfshi edhe një tjetër festival teatror – lajmi u prit me kërshëri, pse jo edhe me skepticizëm. Me kërshëri, sepse Teatri i Tetovës, si një institucion ende i pakonsoliduar mirë, marrja përsipër e një angazhimi të tillë dukej si një kapërcim në ajër, si pamje me xhiro të përshpejtuar për të arritur të shohim atë që duam dhe jo atë që mundemi.
Më skeptikët prisnin që të zgjaste një apo dy edicione, të tjerë e quanin mynxyrë, një festival që paralajmëronte mbylljen e atyre të tjerave. Në fakt, asgjë nuk ndodhi. As festivalet e tjera nuk u mbyllën, vazhduan të merrnin atë buxhet që merrnin çdo vit, por edhe Festivali Ndërkombëtar Teatror vazhdoi të hapte edhe të mbyllte edicionet. Deri pak kohë më parë.
“Festa” ishte e destinuar të dështojë, si për të treguar se asgjë nuk mund ta marrim seriozisht, madje as festivalin e një institucioni nacional. Këtë vit nuk u zhvillua Edicioni i gjashtë, për një shkak banal – borxhet e akumuluara në vite të teatrit dhe festivali ishte një prej atyre që duhej të sakrifikoheshin. Por lajmi më i keq sesa humbja e një edicioni, apo edhe mbyllja e këtij festivalit, apo pavarësisht justifikimeve që do të dëgjojmë për vitin tjetër, se do të lahen borxhet dhe se Ministria e Kulturës do të japë më shumë fonde…, është vetë humbja e asaj që shumë manifestime të tilla kulturore mezi arrijnë ta mbajnë në këmbë – traditës. Tradita për të pasur një festival, ashtu si duhet, që ftesat dhe njoftimet për edicionin e radhës të mos dërgohen dy-tre muaj përpara, por në fillim të vitit, që drejtorët të mos detyrohen të dalin në grevë urie, qoftë edhe që në fundin e arkës t’ju tringëllijnë disa kacidhe. Të humbësh traditën e një festivali, ashtu siç e rrezikojnë ato që janë të hapura dhe ato që në mënyrën më të pasigurt iu dha një dorë që të hapeshin – është paradoksi më i madh për teatrin. Është shumë e shëmtuar të luash teatro me teatrin. Por akoma edhe më e trishtueshme me aktorët dhe publikun, ato që mbushin përgjysmë, apo edhe treçerek sallat, që meritojnë, apo s’meritojnë teatër. Quajini si të doni. Por të paktën traditën e të mos pasurit traditë ta bëjmë traditë diku tjetër, jo në teatër, që të mos përdhoset në këtë derexhe shenjtëria e një tempulli.