TRADHTIA E MADHE: Tragjedia pas Lidhjes së dytë të Prizrenit

462

Për të realizuar qëllimin që synonte shpëtimin e Kosovës e Shqipërisë nga rreziku evident i sllavo-komunizmit, me iniciativën e një grupi nacionalistësh të flaktë të përbërë nga ing. Xhafer Deva, Musa Shehu, Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi, Lukë Simon Mjeda, Qazim Bllaca dhe Pjetër Vuçaj, më 11 shtator 1943, u zhvillua në Prizren një mbledhje, ku u shqyrtua situata e krijuar dhe nevoja urgjente e masave që duheshin marrë, mbasi çdo vonesë do të ishte e pariparueshme e me rrjedha tragjike për fatet e atdheut

 

Është mbajtur në fakt nga data 16-20 shtator 1943. Ishte koha kur gjendja në Kosovë ishte shumë e rëndë dhe e pamundur të kishte shpresë për lirinë e saj. Sjelljet brutale të pushtuesve italianë, burgosjet, internimet, kishin marrë përpjestime të mëdha si në Kosovë e Shqipëri. Më 7 korrik 1943 në Kosovë u shpall shtetrrethimi. Çetat çetnike serbe e malazeze, kishin fushë të lirë veprimi të stimuluar nga forcat fashiste italiane. Në tragjedinë e Bihorit, u masakruan barbarisht 4000 shqiptarë të pafajshëm, gra, pleq, fëmijë. Ky krim i shëmtuar, ishte bërë nga çeta e çetnikëve të Pavlo Gjurishit, të nxitur e armatosur nga komandanti i regjimentit italian në Mal të Zi. Sa më e madhe bëhej shtypja ndaj shqiptarëve aq më shumë rritej zemërimi e kundërpërgjigja e popullit kosovar. Për t’iu kundërpërgjigjur dhunës ushtarake italiane dhe çetnikëve serbo-malazezë, ishte e nevojshme të krijohej një udhëheqje që të bashkonte energjitë dhe përkushtimin e nacionalistëve dhe patriotëve të lirisë.

Për të realizuar qëllimin që synonte shpëtimin e Kosovës e Shqipërisë nga rreziku evident i sllavo-komunizmit, me iniciativën e një grupi nacionalistësh të flaktë të përbërë nga ing. Xhafer Deva, Musa Shehu, Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi, Lukë Simon Mjeda, Qazim Bllaca dhe Pjetër Vuçaj, më 11 shtator 1943, u zhvillua në Prizren një mbledhje, ku u shqyrtua situata e krijuar dhe nevoja urgjente e masave që duheshin marrë, mbasi çdo vonesë do të ishte e pariparueshme e me rrjedha tragjike për fatet e atdheut.

Tri ishin pikat bazë:

Thirrja e një mbledhje të përgjithshme popullore me shpirtin e frymën e Lidhjes së Prizrenit, ku do të përfaqësoheshin të gjitha krahinat e Kosovës, Dibrës, Strugës, Tuzit, Ulqinit nëpërmjet delegatëve të zgjedhur nga populli;

Deri sa të themelohet e caktohet një autoritet suprem nga Mbledhja e Përgjithshme, për të mbajtur qetësinë, rendin publik dhe situatat e reja që mund të krijohen, duhet të krijohet këshilli autonom ekzekutiv;

Ngarkimi i Këshillit Ekzekutiv të Prizrenit me përgatitjen e Mbledhjes së Kuvendit, hapja e të cilit do të bëhej jo më vonë se më 16 shtator 1943.

Më 16 shtator 1943 në shkollën “Bajram Curri” në Prizren u mblodhën mijëra qytetarë, për të përshëndetur fillimin e Kuvendit, që do të pagëzohet me emrin kuptimplotë “Lidhja II e Prizrenit”, ku së pari u zgjodhën: Musa Shehu kryetar, Aqif Bluta n/kryetar, Prof.Rexhep Krasniqi n/kryetar e Bedri Gjinaj sekretar. Këtu u miratuan 6 pika të rendit të ditës, të cilat në esencën e tyre të përbashkët kishin bashkimin e trojeve etnike etj. Në fund u zgjodhën Rexhep Mitrovica kryetar, Musa Shehu n/kryetar, Prof.Kolë Margjini n/kryetar, dhe antarë Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi, Qazim Bllaca.

Më 21 shtator 1943 delegatët u drejtuan në selinë historike të Lidhjes së Prizrenit 1878 dhe nënshkruan me solemnitet vendimet e marra në prani të autoriteteve e popullit të ardhur prej viseve të Kosovës. U hartua Statuti i Organizatës “Lidhja II e Prizrenit”, në të cilën shkruhej mbi themelimin, qëllimin, kompetenca tokësore, financat, dispozitat e posaçme, etj. Ajo kishte 22 nene, të ndarë në disa pika.

Mbas pushtimit të Kosovës nga Jugosllavia e Titos, përpjekjet dhe luftimet e çetave nacionaliste në male e fusha nuk kanë pushuar gjatë gjithë vitit 1945, duke dhënë me mijëra dëshmorë. Organizata, me mjete luftarake modeste ka mbajtur në këmbë luftën e mbrojtjes në katër ballinat e kufijve kundër brigadave komuniste serbo-bullgare e malazezo-shqiptare. Këto të fundit të ashtuquajtur shqiptarë, kanë qenë drejtuar nga xhelati Shefqet Peçi e Haxhi Lleshi, duke qëlluar pas shpine vëllezërit kosovarë të një gjaku e gjuhe.

Në lidhje me luftën heroike të nacionalistëve, të drejtuar nga Mulla Idriz Gjilanit, bashkëkohësi Tahir Zajmi shkruan: “…qendresa shqiptare e drejtueme prej Mulla Idriz Gjilanit dhe oficerave shqiptarë të Regjimentit IV të Prishtinës, edhe në kët betejë të ashpër duel ngadhnyese, kundër dy Divizioneve sllavo-komuniste, që numrojshin 24.000 luftarë të armatosun. Shkaku i kësaj disfate t’anmikut e demoralizimi i sulmuesave komunistë, padyshim, i dedikohet plagosjes së komandantit të tyne Marshal Titos. Gjatë ndeshjeve të rrepta me armë, me mortaja e mitraloza dhe bomba doret e me bajonete të përdoruna nga të dyja palët kundërshtare, ku mbeten kaq shum të vdekun e të plagosun sa Reka e Hogoshit (përroi i katundit) nder brigje të së cilës u zhvilluen edhe luftimet ishte qenë skuqë prej gjakut të njerëzve. Dy luftarë qi kanë marrë pjesë n’atë betejë dishmojnë, se prroni bante ma shum gjak njerzish se uj, në shtratin e vet të ngusht.” (Fq.57).

Me gjithë vrasjet, për të frikësuar popullin martir të Kosovës, serbët e komunistët shqiptarë nuk mundën të mposhtin rezistencën e armatosur të forcave nacionaliste. Kështu mbas pushtimit të Kosovës nga fuqitë komuniste dhe mbarimit të Lëvizjes së Drenicës, disa çeta nacionaliste zhvillonin pandërprerje aksione lokale kundër dominimit jugosllav. Me guxim, trimëri e vendosmëri luftonte çeta e Uk Sadik Ramës të Gjurgjevikut bashkë me Prof.Ymer Berishën, që kishte ranë disa herë në përpjekje të armatosura me partizanët komunistë. Më pas, ata kanë kaluar nëpër Prokorupë e në rrethe të Rahovecit, me qëllimin për të mbledhë e organizuar forca të reja. Ai ra i sëmurë nga plagët e rënda, që kishte marrë më përpara. Ukë Sadiku u zu tradhëtisht, në një banesë dhe u dërgua në Prishtinë, ku u dënua prej gjyqit komunist. U ekzekutua me pushkatim, në vitin 1947 bashkë me disa shokë të tjerë.

Ka qenë një tradhti e ndërgjeshme veprimi i brigadave komuniste, që luftuan kundër vëllezërve shqiptarë të një gjaku e gjuhe të pushtuar nën Serbi, me një trathti të përligjur. Kështu për të shtypë e shkatërruar këtë rezistencë antisllavo-serbe, bullgare e maqedonëse, në ndihmë të trupave komuniste të Beogradit erdhën brigadat komuniste shqiptare të urdhëruar direkt nga diktatori Enver Hoxha e xhelati Mehmet Shehu, të cilët në terrenin e Kosovës kishin dërguar njerëzit më antishqiptarë e besnikë të sllavokomunistëve të Titos. Duke pasur frikën e një revolte të përgjithshme kundër pushtuesve serbë, komunistët e Tiranës së kuqe, menjëherë morën masat, duke stërvitur e dërguar në Kosovë njësitë partizane, për t’i ardhur në ndihmë Jugosllavisë. Në vend që ushtria shqiptare të bashkohet me forcat nacionaliste, kundër armmikut të përbashkët sllavëve pushtues, ata si tradhëtarë bënë të kundërtën duke vrarë, prerë, kallur në rrënjë pasurinë shqiptare, për hir të një ideologjie boshe komuniste. Tashmë mbi kurrizin e gjakosur të popullit kosovar ra edhe një pushtues i ri, por që kësaj radhe nuk vinte nga ajri e deti, por nga toka amë e Shqipërisë. Ajo kishte shitur me kohë interesat kombëtare tek Rusia e diktatorit fashist Stalin.

Në mënyrë që lexuesi shqiptarë kudo që ndodhet të krijojë një ide më të qartë, se çfarë kanë bërë komunistët ndaj vëllezërve të një gjaku e gjuhe, po ofrojmë dëshmi origjinale të shkruar afërsisht 40 vjet më parë nga dëshmitari i këtyre ngjarjeve, përfaqësuesi më i lartë i Lidhjes së II të Prizrenit gjakovari Tahir Zajmi, i cili në kapitullin V “Brigadat komuniste shqiptare në ndihmë të Jugosllavisë”, shkruan: “Për me shtypë e shkatërrue fare këtë rezistencë të fortë me kryeneçesi që sa po shuhej me nji anë, plaste papritmas në tjetren, kerkohet prapë kontributi i shqiptarve të zezë, të cilët t’inkuadruem në tri Brigada, njana (e V-ta) nën komanden e Shefqet Peçit dhe tjetra (e III-ta) nen ate të Rrahman Parllokut që kishte për sekretar politik Gafur Qyqyn vrapojnë në ndihëm të Marshalit jugosllav, i cili nuk e ndjente veten aspak në gjendje me zotnue situaten.

Brigada të cilat arrijnë me shpejtë, e para e nisun nga Elbasani e tue kalue nepër Librazhdë-Klenjë-Zerqan-Peshkopi, Kalaja-Dodës në Lusen të Lumës, ku i plasë pushka dhe mbas nji ndeshjeje të përgjakëshme mbetën 14 dëshmorë prej Lusne, kurse n’anen tjetër vriten 180 nga efektivet e Brigadës e cila kalon nepër Topojan, Shishtavec dhe s’andejmi në Gjemashicë-Bellushë-Prizren, prej kah në Gjakovë, Pejë e vise të tjera të Kosovës, ku qendrojnë për nji kohë mase dy vjetësh; dhe tjetra, e nisun nga Shkodra e tue kalue nepër malet e Dukagjinit e nepër Malsië të Gjakovës në Junik dhe prej andej në Pejë e vende tjera të Kosovës, kurse nji tjetër Brigadë nën komanden e Aqif Lleshit niset nga Peshkopija e kalon në Diber të Madhe, Kërçovë, Gostivar, Tetovë e Shkup për t’ia dorëzue patronit-aleat viset e Maqedonis shqiptare.

 Forcat komuniste serbo-maqedonase që deri në mbarim të vjetit 1944 ishin dërrmue e paralizue prej komandantit të fuqive nacjonaliste Xhem Has Gostivarit, mbasi vendi u shkel prej Brigadës shqiptare, filluen prap m’u forcue e m’u shtri n’atë sektorë, ku masakruen me qindra e me mija shqiptarë, ndër të cilët vetem në Tetovë 4000, në Gostivarë 700 dhe në Kërçovë 500.”

Duhet theksuar, se lufta për lirinë e Kosovës nga zgjedha sllavokomuniste ishte fatale, për arsye psikologjike dhe të një tradhtie të madhe që i kanë bërë interesave nacionale vetë komunistët. Asokohe të gjithë luftarët e lirisë, që luftonin me heroizëm të madh mes maleve të Kosovës u demoralizuan, kur panë se përkrah forcave sllave në frontin e parë të luftës kundër tyre ishin brigadat parizane të Enver Hoxhës. Ata bënin një luftë vëllavrasëse, ndërsa ushtria serbe, malazeze, maqedonase e bullgare buzëqeshte, tek shihte shqiptarët të vriteshin me njeri tjetrin. Tahir Zajmi, si dëshmitar okular, ka bërë një përshkrim të hollësishëm të gjithë asaj që ngjau në Kosovë. Ai shkruan: “…dihej mirë përse po luftohej ballë për ballë, por me brigadat shqiptare mbrapa shpindët, t’ardhuna nga Shqipnija, tek e cila vareshin shpresat e ardhmënis dhe fati i Kosovës, kjo ishte nji çështje e errët dhe misterjoze për kosovarin e thjeshtë, i cili me anmikun sllav që kërkonte me robnue ishte i vendosun me luftue e m’u vra vlla-me-vlla, kët myster tragjik të fatit qi koha ia shtroj përpara…, kët fatkeqsi të kobëshme, kurrsesi nuk mbërrijte m’e kuptue dhe prandaj ndjente në vedi njifar ligështije dhe njifar mosvendosmenije për me vazhdue luften. (konica.al)