Françesko Toti ka thënë se Kristiano Ronaldo meriton të fitojë çmimin e lojtarit më të mirë të FIFA-s për meshkuj, përpara Lionel Messit dhe Nejmar. Ish-futbollisti i Romës dhe Italisë i përshkruan të tre ata si “alienë të futbollit”, por thotë se ylli portugez, i cili është fituesi në fuqi i “Topit të Artë”, duhet ta rifitojë çmimin si lojtar i shquar i kësaj loje gjatë 12 muajve të fundit.
Totti thotë se faktori vendimtar ishte aftësia e Ronaldos për të udhëhequr Real Madridin në lavdinë e brendshme (La Liga) dhe atë evropiane (Çampions). “Ne po flasim për tre alienë të futbollit, – i tha ai “FIFA.com”. – Mendoj se, në fund, Ronaldo është përpara të tjerëve. Ai pati një sezon të mahnitshëm dhe, gjithashtu, i realizoi golat e tij kundër ekipeve më prestigjioze”, u shpreh Totti. Në të vërtetë, ai ka mbështetur Zinedin Zidanin për ta bërë atë një Real Madrid të dyfishtë në ceremoni, duke tërhequr çmimin e trajnerit më të mirë të FIFA-s, përpara Antonio Konte dhe Massimiliano Alegri. “Mendoj se Zidan është favoriti për të njëjtat arsye, si Kristiano Ronaldo. Ai fitoi gjithçka në sezonin e fundit”, – shpjegoi Totti, megjithëse tha se bashkatdhetarët e tij kishin bërë “punë të jashtëzakonshme” te Çellsi dhe Juventus.
Ndërkohë, ai e sheh çmimin e portierit më të mirë të FIFA-s si një “shkëmbim zjarri” midis Xhanluigji Bufon dhe Kejlor Navas, edhe pse beson se bashkatdhetari i tij e meriton atë. “Portierët kanë një ndikim të madh në lojë, megjithëse nuk njihen sa duhet. Ndikimi i tyre në rezultatin përfundimtar të ekipit është gjithmonë vendimtar, – vuri në dukje Totti. – Mendoj se Bufon ka një shans shumë të mirë për ta fituar atë çmim. Ai ka qenë më i miri në mënyrë individuale, por edhe skuadra e tij arriti në finalen e Ligës së Kampionëve, njësoj si Kejlor Navas. Në fund, mendoj se të dy do të konkurrojnë për të”, përfundoi ish-futbollisti i Romës.