Tottenhami shpreson që stadiumi i ri t’i japë “krah” për të mposhtur Manchester Cityn sonte në mbrëmje në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Tottenhami do të luajë të martën ndeshjen e parë të tij në garat evropiane në stadiumin e ri, që është hapur zyrtarisht pak ditë më parë.
Sulmuesi jug-korean Son Heung-min vlerëson se stadiumi me kapacitet 62 mijë ulëse do të jetë motiv shtesë për ekipin e tij. Tottenham si pasojë e vonesave në kompletimin e stadiumit, ka luajtur ndeshjet e deritashme në “Wembley”. “Sigurisht se ky stadium i ri do të jetë përparësi për ne. Ndoshta lojtarët e Manchester Cityt nuk e kuptojnë, pasi gjithmonë kanë luajtur në shtëpi, por ne për afro dy vjet kemi luajtur larg nga stadiumi ynë. Ajo që kemi arritur në dy vjet është shumë pozitive, por neve na ka munguar shtëpia dhe ndoshta mund t’ua dëshmojmë këtë lojtarëve të Cityt”, ka thënë Son.
Lajme të mira për Man City-n
Sergio Aguero është rikthyer në stërvitjen e Manchester City-t në prag të çerekfinales së Champions League ndaj Tottenham. Skuadra e Pep Guardiola-s është stërvitur në stadiumin e ri të Tottenham në prag të ndeshjes që do të zhvillohet sonte në mbrëmje. Sulmuesi i City-t mori pjesë në seancën e plotë të stërvitjes teksa skuadra është adaptuar me stadiumin e ri pasditen e së hënës. Aguero nuk ka luajtur që kur u zëvendësua i dëmtuar gjatë fitores 2-0 ndaj Fulham muajin e kaluar, duke humbur ndeshjet ndaj Cardiff në Premier League dhe Brighton në FA Cup.
Gjatë konferencës për shtyp, trajneri Guardiola ka thënë: “Ai ndihet më mirë, është stërvitur me ekipin për të parën herë dhe ndihet më mirë.” Derbi anglez do të jetë ndeshja e dytë që do të luhet në Tottenham Stadium dhe e para në Champions League.