Policia ka konfirmuar se një person është arrestuar për shkelje të rëndë të rendit publik gjatë gjysmëfinales së “Carabao Cup”, të luajtur mes Tottenham dhe Chelsea.
Në një postim në Twitter, njësia e futbollit e Policisë Metropolitane, oficerët e të cilëve ishin në detyrë për ndeshjen e luajtur në “Wembley”, shkroi: “Policia ka arrestuar një djalë 17-vjeçar për një vepër të rëndë racore, duke prishur rendin publik sonte në @SpursOfficial v @ ChelseaFC. Djaloshi aktualisht po trajtohet në një stacion policor të Londrës Veriore”.
Në një postim të mëparshëm të forcave policore ishte shkruar: “Ne po punojmë me klubet e futbollit të Londrës për të siguruar eliminimin e krimit të urrejtjes, duke përfshirë racizmin dhe gjuhën antisemite. Çdo rast i sjelljes së tillë do të merret seriozisht dhe do të hetohet e gjykohet tërësisht”.
Incidenti në fjalë është rasti i fundit i sjelljes raciste të dyshuar, që shkund nivelet e larta të futbollit europian. Raheem Sterling i Manchester City iu nënshtrua abuzimeve raciste gjatë humbjes përballë Chelsea, në fillim të dhjetorit, me njeriun përgjegjës, që më vonë u identifikua dhe u ndalua nga policia në “Stamford Bridge”.
Në Itali, ndërkohë, mbrojtësi i Napolit, Kalidou Koulibaly, u bë objekt i koreve raciste të tifozëve zikaltër në “San Siro”. Interi u dënua më pas me dy ndeshje pa tifozë, një sanksion të cilin nuk pranoi të apelojë.