Totenhemi Hotspur pritet të thyejë një rekord 10-vjeçar në Premier Ligë, teksa do të presë Burnmaut, të shtunën në “Wembley”. Shtypi anglez ka shkruar se biletat e shitura i janë afruar shumë rekordit aktual me 76.098 të pranishëm në ndeshjen mes Mançester Junajted dhe Blekburn, në mars 2007, në “Old Trafford”. Nga 158 sektorët e stadiumit kombëtar të Anglisë me kapacitet 90 mijë vende, vetëm pesë janë lënë në dispozicion të tifozëve të Burnmaut, skuadër që lufton për mbijetesë. Pritet që rreth 80 mijë tifozë të Totenhemi të jenë të pranishëm në “Wembley” këtë të shtunë, teksa rekordi do të vazhdojë të jetë ai i vënë në edicionin e kaluar të Çampions Ligë me 85.512 spektatorë të pranishëm në ndeshjen kundër Leverkusen. Gjithsesi, kjo ndeshje do të thyejë rekordin aktual të klubit, kur 73.587 tifozë ndoqën humbjen 2-1 kundër Çellsit në muajin gusht. Duke qenë se do të jenë të shumtë në numër, Totenhemi i ka ftuar tifozët të fillojnë të vijnë që në orën 15:00, një orë para fillimit të ndeshjes.