Torino zyrtarizon trajnerin e ri

24

Davide Nicola është trajneri i ri i Torinos, i cili zëvendëson të shkarkuarin Marco Giampaolo. Gjithçka është zyrtare dhe për Nicola do të ketë një mision të vështirë përpara, për shkak se “demat” ndodhen në vendin e tretë nga fundi dhe po tentojnë shpëtimin nga rënia në Serie B. Në të shkuarën ai ka qenë i suksesshëm me klube që luftojnë për mbijetesën, sikurse edhe klubi i Torinos e thekson edhe në deklaratën e zyrtarizimit të tij në krye të stafit teknik.

“Torino Football Club janë të lumtur t’ju njoftojnë se Davide Nicola është emëruar trajner i ri. Davide Nicol ka lindur në Luserna San Giovanni, afër Torinos, më 5 mars të vitit 1973. Si lojtar ai ka luajtur me fanellën e Torinos në sezonin 2005/2006, duke ndihmuar skuadrën të ngjitej në Serie A me golin e tij kundër Mantova në kohën shtesë të finales së play-off. Në vitin 2010 ai nisi karrierën si trajner. E paharrueshme aventura e tij te Crotone, duke marrë 20 pikë në ndeshjet e fundit dhe duke siguruar qëndrimin në Serie A. Një arritje e madhe për të edhe sezonin e kaluar, kur ndihmoi skuadrën e Genoa të shmangte rënien. Presidenti Urbano Cairo i uron mirëseardhjen trajnerit Nicola dhe i uron atij dhe stafit fat. Gjithmonë forca demat”, shkruhet në komunikatën zyrtarë të Torinos në kanalet zyrtare të komunikimit.