Shënjestra e Mançester Junajted dhe Çellsi, sulmuesi Andrea Belotti pritet të përfitojë një kontratë të re nga Torino, të paktën sipas raportimeve të medias italiane “Tuttosport”. Sulmuesi kishte nënshkruar në marrëveshje të re vetëm në dhjetorin e kaluar, që përfshinte dhe klauzolën e tij të largimit në shumën 89 milionë euro, nëse do të largohej në një klub jashtë Italisë, me qëllim që të qëndrojë në stadiumin “Olimpico Grande Torino” deri në vitin 2021. Tashmë klubi granata ka menduar të rishikojë ofertën në favor të sulmuesit, me qëllim që ai të mos synojë më largimin. Kushtet e marrëveshjes së re parashikohet të përfshijnë një rritje të pagës me 2.6 milionë euro në vit dhe një reduktim me 4 për qind për çdo taksë të transferimit, në rast se klubi bën shitjen. Ndërkohë, raportohet se dy kushtet kryesore: afati i skadimit të kontratës dhe klauzola e largimit mbeten të njëjtat. Kështu, kontrata e Belottit me Torinon skadon në qershor të vitit 2021, ndërsa klauzola e largimit mbetet 100 mln euro, ose 89 milionë euro. Performanca e shkëlqyer e sulmuesit ka vijuar edhe në këtë sezon, ku ka shënuar pesë gola dhe ka shërbyer dy asistime në tetë ndeshje, duke rikonfirmuar interesimin e klubeve elitare për sulmuesin italian. Sezonin e kaluar Belotti shënoi 28 gola në 38 ndeshje gjatë sezonit të kaluar me Torinon.