Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka zgjedhur të votojë sot edhe pse vjen nga një e kaluar politike tek demokratët të cilët nuk marrin pjesë në zgjedhje.
Kreu i Frymës Demokratike tha se voton pasi është kundër bojkotit dhe se ka kryer detyrën e tij si qytetar. Ish-presidenti tha se mospjesëmarrja imponon zgjedhje të sforcuara.
“Sot është një ditë votimesh, të gjithë ata që kanë marrë pjesë kanë ushtruar të drejtën e tyre. Ka qenë një mesazh i fortë i partenerëve tanë jashtë vendit nga SHBA-të të cilët duhen kuptuar qartë që politika amerikane është politikë e institucioneve, jo e emocioneve. Këtë lloj jostabiliteti që ka politika shqiptare nuk e ka populli, populli shqiptar ka nevojë të orientohet, skema politike shqiptare ka nevojë të riformatohet, njerëzit duhet të fitojnë besimin. Jam në vijim të bindjeve të mia të thella kundër bojkotit, parime të cilat i ka dhe subjekti ynë politik i cili merr pjesë në zgjedhje por edhe në vijim edhe një politike anti-bojkot që e kanë shprehur së fundmi dhe partnerët tonë kryesorë”, ka thënë Topi, përcjell tch.
Ai ka thënë tutje se në Qendër Votimi është për të bërë detyrën qytetare dhe politike.
“Sonte duhet të bëjnë një meditim të thellë. Duhet një reflektim qytetar për çfarë kanë bërë, pse e kanë sjellë demokracinë në Shqipëri në këtë nivel. Është standardi më i ulët i demokracisë që përjetojmë prej shumë vitesh. Duke filluar nga dita e nesërme, qofshin fitimtarë, qofshin njerëz që kanë bojkotuar duhet t’i thërrasin mendjes për të ardhur në procesin e reformimit politik”, deklaroi Bamir Topi.