Vedat MEMEDALIU
Shkup, 26 maj – Ambasadorja e Serbisë në Maqedoni, Dushanka Divjak-Tomiq, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sot ka dhënë shpjegim për prezencën e këshilltarit të tyre dhe përfaqësuesit të Agjencisë Informative për Siguri (BIA) Goran Zhivaljeviq, në ndërtesën e Parlamentit gjatë ngjarjeve të 27 prillit, shkruan gazeta KOHA. Me këtë rast, ambasadorja Divjan-Tomiq, pas takimit në MPJ, nuk ka pranuar të japë detaje nga biseda, ndërsa ka thënë shkurt se “gjithçka që është dashur të thuhet, është thënë brenda”. Në ndërkohë, nuk ndalet mbështetjet institucionale serbe ndaj veprimit të Zhivaljeviqit, i cili natën e përgjakshme të 27 prillit, në Parlament ishte futur me turmën e huliganëve që rrahën deputetët e LSDM-së dhe Ziadin Selën. I fundit që është prononcuar për ngjarjen është ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daciq, i cili për mediat serbe ka konfirmuar se ambasadorja serbe do të shkojë në MPJ, pasi siç është shprehur ai, “sepse nuk është në pajtim me protokollin diplomatik që të mos i përgjigjet thirrjes”. Ai, transmeton KOHA, ka thënë se nuk e di se çka do ti bëhet me dije nga pala maqedonase. “Secilit vend i jepet mundësia që të reagojë për diçka, nëse vjen deri tek ndonjë protestë e caktuar”, ka deklaruar Daciq dhe ka potencuar se natën paraprake ka qenë në takim me ministrin e punëve të jashtme të Maqedonisë, i cili nuk i ka përmendur asgjë, ashtu sikur as mandatari Zaev nuk ka përmendur asgjë në takimin me kryeministrin Vuçiq. Qëndrime të ngjashme si Vuçiqi ka dhënë edhe Daçiq se Zhivaljeviq nuk ka kryer asnjë vepër, nuk është përzier në punët e brendshme të Maqedonisë dhe se nuk ka asnjë arsye të protestohet për atë. “Përfaqësuesi ynë nuk ka bërë asgjë që do të mund të interpretohej si shkelje të protokollit diplomatik. Puna e tij është që të informojë se çka ndodhë në Republikën e Maqedonisë, ka qenë me përfaqësuesit e shërbimeve tjera, sikurse edhe ata çdo ditë vijnë në të gjitha ato ngjarje në Shkup ose ndonjë vend tjetër”, ka deklaruar Daciq për mediat serbe gjatë manifestimit të mbrëmshëm të Ditës së Afrikës në Beograd. Ai ka potencuar se detyra e Zhivaljeviqit është të informojë. “Ajo, para së gjithash”, është në aspekt të informacioneve të cilat ne vazhdimisht i këmbejmë me shërbimet e tyre, gjegjësisht nëse qytetarët tanë marrin pjesë ose jo në ato ngjarje, dhe aq. Zhivaljeviq është përfaqësues zyrtar i BIA në Maqedoni. Ai nuk është atje ilegalisht dhe kisha dashur që ndaj të gjithëve të kihet relacion të njëjtë. Kjo do të thotë që të thirren në bisedime edhe përfaqësues të agjencive të tjera të sigurisë dhe ambasadat e tyre – nga vendet e perëndimit, të lindjes”, ka deklaruar shefi i diplomacisë serbe. (koha.mk)