Bayern Munich ka blerë mesfushorin francez Corentin Tolisso nga Lyon, për 40 milionë euro. Kampionët e Bundesliga firmosën një kontratë pesë vjeçare me 22-vjeçarin. Tolisso, një futbollist që mund të mbulojë disa role në mesfushë, ka nisur të grumbullohet edhe nga kombëtarja e Francës dhe është marrë nga bavarezët në vend të Xabi Alonso, i cili u tërhoq nga futbolli.
Drejtuesi i lartë i Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge, deklaroi: “Jemi shumë të kënaqur që arritëm të marrin një futbollist kaq të ri dhe interesant. Carlo Ancelotti na ka thënë se ishte futbollisti i preferuar prej tij dhe ne ia plotësuam dëshirën, sepse besojmë te puna që po bën trajneri. Urojmë që Tolisso të jetë i rëndësishëm për ekipin tonë.”
Tolisso bëhet blerja e katërt e Bayern për sezonin e ardhshëm. Pak ditë më parë, kampionët e Gjermanisë morën Serge Gnabry nga Werder Bremen për 8 milionë euro, ndërsa në fillim të muajit u arrit marrëveshja me dy mbrojtësit e Hoffenheim, Sebastian Rudy dhe Niklas Suele. Bayern ka fituar pesë edicionet e fundit të Bundesliga.