Tolerancën ta ruajmë si dy sytë e ballit
Besimet në përgjithësi janë tolerante, sepse porositë fetare janë të Zotit. Keqinterpretimi i tyre sjell intolerance në botë. Pra, kudo në botë besimet i ofrojnë njerëzit të jenë në shërbim të njëri-tjetrit. Sa i përket asaj shqiptare, kam bindje se ajo vërtetë është unike në botë dhe model i respektimit të bindjeve të njëri-tjetrit. Këtë e kemi amanet nga kokat e mëdha të rilindësve tanë dhe duhet ta ruajmë si dy sytë e ballit...
Delvina KËRLUKU
Prof. Shaqir Fetahu u lind më 25 Prill të vitit 1959, në fsh. Çegran – Gostivar. Gjatë mbarimit të shkollës fillore, respektivisht në moshën 15 vjeçare arrin të kryejë edhe hifzin e Kur’anit Famëlartë, nën udhëheqjen e imamit të xhamisë “Loke” të fshatit Çegran, rahmetli H. Hafiz Kebir ef Mahmudi. Me të kryer shkollën fillore regjistrohet në Shkollën e Mesme Islame Medreseja “Alaudin” në Prishtinë, të cilën me sukses e kryen në vitin 1980. Po në të njëjtin vit vazhdon studimet në Fakultetin e shkencave Islame në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës të cilin poashtu me sukses e kryen në vitin 1984. Pas kryerjes së Fakultetit të shkencave islame në Sarajevë punësohet në fsh. Çegran si imam dhe mualim, dhe në bazë të rezultateve të treguara gjatë kësaj kohe, emërtohet si ligjërues në SHMI “Medreseja Isa beu” – në Shkup, ku si ligjërues punon plotë 10 vjet, kryesisht si ligjërues i lëndës Apologjetika islame (Akaidii), lëndën e Imamatit (Lënda e mënyrës së kryerjes së detyrës së imamit), Lëndën e Vaz-daves (Retorika islame) dhe Tefsirin (Komentimi i Kuranit). Në vitin 1994 emërtohet Drejtor i Sektorit për shkencë e kulturë islame pranë BFI në RM, pastaj plot katër vite kryen edhe detyrën e Sektorit fetar – arsimor, derisa në vitin 2001 zgjidhet mufti i Muftinisë së Gostivarit, të cilën detyrë me suksesin më të madh e kryen edhe sot. Prej ditëve të para në Medresenë e “Alaudin” në Prishtinë fillon të merret me shkrime duke i botuar ato në Gazetën e Shoqatës së nxënësve të medresesë me emrin “Nur”. Ka botuar mbi 150 artikuj edhe në Gazetat si: “Dituria Islame”, “Hëna e re”, “Flaka”, “Fakti”, “Vepra”, “Drita islame”- Tiranë, “Lëvizja islame”- Gostivar, etj.
Prej ditëve studentore, përveç shkrimeve si autor, është marrë me përkthime edhe atë ka qenë anëtarë i grupit për përkthimin e veprës së Rozhe Garodit me titull :“Islami kultura dhe socializmi”, të botuar në Sarajevë, pastaj botoi veprën origjinale me titull “Feja fenomen i vërtetë”, botuar nga BFI – në Shkup, “Akaid – I”, pastaj “Gjashtë kushtet e besimit”, që të dyja këto libra janë botuar nga Komuniteti mysliman në Tiranë, vitin e kaluar nga shtypi doli edhe vepra e fundit e tij, me titull “Islami – Porosi hyjnore”, dhe tani është gati për botim vepra e radhës “Drejtimi racionalist në Islam – Mu’tezilijët”. Është iniciatori kryesor i hapjes së Paraleles së shtrirë të vajzave në Gostivar, si dhe për momentin Koordinator i saj, e hapur në vitin shkollor 2008/ 2009 – Degë e SHMI – “Medreseja Isa beu” – Shkup Është pjesëmarrës i disa seminareve, konferencave dhe simpoziumeve në vend dhe jashtë. Për aktivitetin e tij të bujshëm jetësor ka marrë mirënjohje të ndryshme nga institucione , shoqata dhe ente të sferave të ndryshme, në veçanti duhet theksuar Dekoratë “Myfti Vebi Dibra” që ndahet nga Reisul Ulema Haxhi Sulejman ef Rexhepi në nivel të BFI, në RM si dhe Dekoratën e fundit qe ju nda nga Akademia internacionale e shkencave sociale në Florida na SHBA (Internacional Academi of Social Sciences (IASS), USA. etj. Tashmë ka kryer provimet postdiplomike në USHT, në Fakultetin Filozofik -Dega e Historisë në Tetovë. Është prind i tre fëmijëve.
KOHA: Z. Fetahu, bota e juaj e fëmijërisë lidhet me fshatin Çegran. Cila ishte jeta e juaj në fshat?
FETAHU: Padyshim vendlindja është vendi më i dashur i njeriut. Ashtu,edhe Çegrani, vendi ku kam lindur dhe ku jam rritur paraqet vendin e kujtimeve më të bukura të jetës sime. Unë rrjedhë prej një familje patriarkale, me një edukim të traditës së fortë fetare e kombëtare. Mbi të gjitha primare e kemi pasur të jemi në shërbim të besimit, kombit dhe vatanit. Fëmijëria ime, mund të them se ka qene e qetë dhe këndshme, sepse edhe materialisht kemi qëndruar mirë, bazuar në faktin se kemi qenë familje të një kurbeti stabil, me profesion të ëmbëltoristëve dhe afaristëve të kohës. Ishte kohë e një fëmijërie të gërshetuar me një jetë që zhvillohej në mes lojërave fëmijërore, mësimeve shkollore dhe fetare, shoqërisë së shkaqeve të bukura të kohës dhe bukurive të gjelbërimit të fushës së Pollogut që i jepte freskinë lumi Vardar mu aty përreth fshatit të bukur. Si fëmijë, nën mbikëqyrjen e edukimit fetarë dhe kombëtarë të familjes me seriozitetin më të madh ju qasa mësimeve shkollore që ua bashkëngjitja aktivitetet e lira në gara të ndryshme lokale dhe republikane, ato në manifestime të ndryshme, etj.. Krahas këtyre aktiviteteve kohën e lirë e shfrytëzoja në nxënien e mësimeve fetaro- islame dhe shumë herët mësova leximin e Kur’anit Famë lartë, të cilin edhe e memoriozova të tërin dhe mora titullin “Hafidh i Kur’anit”. Kisha fatin gjatë kësaj kohe të kem mësues të shkëlqyeshëm të kohës në sferën e mësimeve të rregullta shkollore, si dhe imamë shembullor në mësimet fetare. Lirisht mund të them se kam kaluar një fëmijëri të lumtur, me gjithë presionet që vinin herë-herë nga rrethanat e frymës së egër të sistemit komunist, të cilët i tejkaloja me vështirësi, por i vetëdijshëm se nga dhe pse vinin ato. Qysh në fëmijëri hetoja se populli im është i diskriminuar qoftë në sferën fetare, poashtu edhe në atë kombëtare. Kjo më nxite edhe më tepër të jem i vyeshëm që vërtetë nesër të jem në shërbim të popullit tim.
KOHA: Edhe pse Gostivari me Prishtinë sot kanë disa kilometra rrugë, por atëbotë ju keni marrë rrugën e gjatë për të ndjekur shkollën e mesme në Medresenë “Alauddin”. Si ishte jeta rreth medresesë?
FETAHU: Ishte viti 1975 kur po përgatitesha për të vendosur për shkollimin e mesëm. Para meje ishin dy opsione, të vazhdoja shkollimin e mesëm në vendet arabe apo në Prishtinë në shkollën e Mesme “Allaudin”. Mendoja në vete do shkojë në Prishtinë nga se kisha informata se arsimimi islam kishte një frymë të veçantë që në vete kombinonte frymën fetare dhe kombëtare. Kisha informata se bartës të mësimit islam janë dy kolosët e Islamit të famshmit dhe patriotët si Hasan ef Nahi dhe Sherif ef Ahmeti, më vonë përkthyesit e parë të Kur’anit në gjuhën shqipe. Vërtetë medreseja nuk kishte kushte të medreseve tjera, por ishte e pasur me një frymë të fuqishme të mësimit islam dhe frymës së lartë reformatore me një të kuptuar burimor dhe modern të Islamit. Mësimdhënësit ishin me përvojë të lartë dhe shkollim të nivelit të lartë në Universitete të ndryshëm botërore. Mbizotëronte një ambient vëllazëror, të vendosur për ideale më të larta. Mësimdhënësit tonë ishin të afërt me ne, ishin në çdo moment me nevojat dhe kërkesat tona. Ideali i tyre ishte të jemi gjithmonë në shërbim të ngritjes së vlerave dhe të ndryshimeve drejt pozitives. Aty për herë të parë u njoftuam me rrjedhat e kohës për liri të trojeve shqiptare, respektivisht të Kosovës. Hetohej pakënaqësia e shqiptarëve dhe ndjenja për një përgatitje të fuqishme, për t’i thënë mjaft robërisë. Ne kryem Medresenë në vitin 1980, dhe në vitin 1981 ndodhën edhe demonstrata e para, si fillim i një nisme të rrezikshme, por të ndritshme për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, që u vërtetua më vonë deri në Pavarësinë e Kosovës. Kemi kujtime të jashtëzakonshme dhe të paharruara. Aktivitete të shumta në suaza të Shoqatës së nxënësve, kryetar i së cilës isha unë. Formuam Korrin e medresesë dhe mbanim manifestime te ndryshme në të gjithë Kosovën si dhe në Sanxhak. Vizituam qytete të ndryshme, njoftuam tradita dhe vlera të popullit tonë. Fituam një guxim dhe krenari të veçantë. Botuam për herë të parë revistën e Shoqatës së nxënësve me emrin “Ikre”. Aty filluam me botimin e shkrimeve të para. Formuan një ekip të mirë të futbollit të vogël, luanim bukur dhe fitonim në tërë Kosovë, kështu prezantonim edhe Medresenë tonë. Me të gjitha këto aktivitete përhapnim idenë se Islami mbi të gjitha është jetë dhe se në formimin e ardhmërisë sonë pjesë përbërëse duhet të jenë edhe vlerat islame. Ishte një kënaqësi e vërtetë. Ishim një gjeneratë shumë premtuese dhe kjo u vërtetua në të ardhmen. Sot nga kjo gjeneratë që veprojnë fuqishëm si imamë, profesorë, drejtorë, muftinjë, dekanë, shkencëtarë, kulturolog dhe organizatorë të fuqishëm të gjithë në shërbim të Zotit dhe të atdheut..
KOHA: Ku dallohet dhe cila është e përbashkëta e medresesë “Isa Beu” në Shkup me atë ku ju keni kryer shkollën e mesme në medresenë “Alauddin”?
FETAHU: Ta them të vërtetën që të dyja veprojnë si dy motra mendje mprehta, aktive, përparimtare dhe të gatshme në çdo moment të jenë në krye të detyrës. Kam bindje se i përshkon e njëjta frymë pa dallim vendi dhe kohe. Sot kuadrat e tyre janë bartës të jetës fetare në të gjitha trojet shqiptare si dhe në Diasporë. Në momentet e emigrimit të popullit tonë kuadrot e të dy medreseve janë në mesin e tyre për të mos harruar vlerën e besimit dhe kombit të tyre, për të mbrojtur dinjitetin e tyre dhe për të ngritur vetëdijen e tyre se vatani i tyre është shqiptaria dhe se duhet të jenë ngushtë të lidhur me të shpirtërisht dhe fizikisht. Në momentet më të vështira të kombit në luftën e Kosovës, në Preshevë dhe në Maqedoni, ata ishin bashkë me subjektet tjera të kombit, bartës të ngjarjeve të mëdha, për ngritjen e kombit, të disa pjesëtarë aktiv të luftërave në trojet shqiptare, ku një numër ranë dëshmorë duke e dhënë jetën e tyre për fe e atdhe.
KOHA:Ju keni studiuar në Sarajevë, në Fakultetin teologjik të studimeve islame. Çfarë ju dha ky vend, përpos dijes?
FETAHU: Me të kryer Shkollën e Mesme islame “Alaudin” vazhdova studimet në Fakultetin teologjik islamik në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës. Ishte një ambient i ri në këtë qytet ku gërshetoheshin kultura të popujve të ndryshëm. Plot katër vite pata fatin të jem nën ndikimin e ideve të dy mendimtarëve të nivelit botëror Prof. Husein Gjozo dhe Prof. Dr. Ahmed Smajloviq. Në mënyrë të veçantë iu përkushtova Apologjetikës Islame dhe Filozofisë së përgjithshme dhe asaj islame duke mos anashkaluar edhe sferat tjera të dijes. Në Sarajevë nisëm iniciativën për hapjen e një xhamie me ligjërim në gjuhën shqipe, kërkuam dy faqe në gjuhën shqipe nga Gazeta “Preporod” Organ i Kryesisë së Bashkësisë Islame të B dhe H. U botua vepra e Rozhe Garodi me titul “Islami, kultura dhe socializmi” të cilën e përkthyem në gjuhën shqipe. Përveç tjerash u ballafaquam me lëvizjet boshnjake për barazi nacionale në krye me politikologun dhe filozofin e mirënjohur Allija Izetbegoviq dhe të tjerë. E gjithë kjo ishte një përvojë dhe përgatitje e mirëfilltë për të vazhduar jetën në shërbim të kultivimit të vlerave islame.
KOHA: Si profesor, çfarë mund të na thoni sa janë të përkushtuar nxënësit në arsim dhe a ka shpresë te brezi i ri në mbrojtjen e fesë dhe avancimin e vendit tonë?
FETAHU: Arsimi është vlerë e shenjtë dhe shtylla kyçe e zhvillimit njerëzor. Së pari duhet biseduar rreth kontributit dhe përgjegjësisë së organeve kompetente për një arsim të mirëfilltë. I gjithë potenciali material dhe intelektual duhet të vendoset në shërbim të këtij procesi. Megjithatë, unë jam optimist dhe kam besim tek gjeneratat e reja. Një pjesë e tyre me përkushtimin më të madh i jepen arsimit dhe unë mendoj në kohën e dijes dhe shkencës edhe më fuqishëm do të jenë bartës të vlerave fetare dhe atdhetare.
KOHA: Z. Fetahu, ju tashmë jeni kryetar i Myftinisë së Gostivarit. Cili është kontributi juaj për avancimin e jetës fetare në Gostivar?
FETAHU: Plot 16 vjet kryej detyrën e Myftiut të Myftinisë së BFI – Gostivarit. Prej momentit të parë iu qasa këtij funksioni me seriozitetin më të madh. Filluam punën me program mirë të përgatitur dhe me strategji afatgjate. Së pari ngritëm nivelin e anëtarësisë me qëllim të stabilizimit të standardit të nëpunësit fetar – imamit që është kusht për një veprimtari të mirëfilltë të tij, ngritëm selinë e re për kushte bashkëkohore. Brenda katër vitesh arritëm të kthejmë pronën – vakëfin e nacionalizuar nga shteti monist, me çka siguruam mjetet materiale për një punë më të madhe, nisëm iniciativën për hapjen e Shkollës së Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” – Paralelja e vajzave në Gostivar, e cila ide u realizua në vitin 2008, dhe pas kësaj morëm iniciativën për ndërtimin e godinës së re të Medresesë në Gostivar dhe në vitin 2017 u bë hapja solemne dhe u fut në funksion. Zhvilluam jetën fetare me manifestime, debate shkencore, tribuna fetare, seminare, konferenca, etj., duke krijuar një ambient fetar-shkencor që tubonte të gjithë shtresat intelektuale dhe më gjerë të popullit tonë, duke ngritur nivelin e të kuptuarit e fesë, kontribuuam shumë në sferën humanitare duke iu solidarizuar me raste të vështira të popullit tonë, etj. etj. Pas gjithë kësaj, sot vërtetë kemi një Muftini mirë e mobilizuar dhe e organizuar që mund të jetë model e një veprimtarie të mirëfilltë bashkëkohore. E gjithë kjo është bërë falë të Madhit Zot, përkrahjes pa rezervë të Reisul Ulema Haxhi Sulejman ef. Rexhepit dhe të gjitha organeve të BFI e RM si dhe unitetit të pashoq të nëpunësve fetarë të Muftinisë sonë.
KOHA: Feja është natyrshmëri e lindur tek vet individi, tek njeriu si krijesë më e përsosur mbi sipërfaqen e tokës. Si është gjendja e komuniteteve fetare, veçmas në Gostivar?
FETAHU: Shikuar nga prizma e organizimit të jetës fetare islame, me bindje të plotë them se ai është në një nivel të lartë dhe se me suksesin më të madh ju përgjigjet nevojave dhe kërkesave të kohës dhe vendit. Kam bindje se edhe komunitetet tjera tentojnë ngritjen e tyre dhe rolin sa më të madh në jetë. Komuniteti ortodoks shqiptar është në fillet e tij dhe herët është të bisedohet për rezultatet e tij. Veprimtaria e tij shumë varet edhe nga rrjedhat politike në këtë shoqëri me një gjendje të ndërlikuar. Sido që të jetë, është mirë që të gjitha vlerat fetare të kultivohen në vijën institucionale, me qëllim që të mos ngelin në mëshirë dhe jo mëshirë të individëve që mund t’i përdorin për qëllime individuale dhe destruktive.
KOHA: Me siguri keni pasur dhe keni takime dhe konferenca të përbashkëta me komunitetet tjera dhe vlen të theksohet se në këtë nënqiell mund të jetojnë dhe të frymojnë lirshëm edhe pjesëtarë të besimeve tjera, në veçanti edhe shqiptarët ortodoksë. Sa ky komunitet i gëzon të drejtat e tyre në Gostivar dhe më gjerë?
FETAHU: Padyshim toleranca fetare është njëra ndër parimet kryesore të Islamit. Islami jo që toleron, por e garanton lirinë e të shprehurit të bindjes fetare. Këtë e kemi diskutuar në të gjitha takimet dhe konferencat me faktorë të ndryshëm po edhe ato fetar. Në Gostivar asnjëherë nuk kemi patur momente konfliktuoze në fushën e ndjenjave fetare. Sa i përket Komunitetit Ortodoks shqiptar, mendoj se bartësit e këtij organizimi janë në fillim e sipër dhe ende nuk shoh ndonjë program apo platformë të organizimit për të dhënë ndonjë mendim. Si çdo besim edhe ky komunitet mund të veproj pa ndonjë problem me qëllim që të jep kontributin e tij kultivimin e marrëdhënieve të mira në të gjitha sferat.
KOHA: Z. Fetahu, mund të na tregoni një shembull të një lidhje të vetme të politikës dhe fesë, në Maqedoni, sa këto të dyja mund të jetojnë pa ndikimin e njëra-tjetrës?
FETAHU: Feja dhe politika ekzistojnë prej njeriut të parë dhe ato i gjejmë gjatë tërë historisë njerëzore. Që të dyja kanë qenë dhe janë problem që sot merren shkenca të ndryshme. Nuk mund të mohohet ndikimi i politikës në fe dhe anasjelltas dhe në të shumtën e rasteve – edhe janë keqpërdorë. Por unë mendoj se është e patjetërsueshme një lidhje në mes tyre duke respektuar natyrën e njëra-tjetrës. Është e domosdoshme që feja të jetë përcjellëse e rrjedhave politike, në veçanti sot në kohën e një demokracie të brishtë me karakteristika destruktive, me qëllim që feja me vlerat e saja të shenjta duhet të japë kontributin e saj, duke e humanizuar, moralizuar, pastruar nga elementet shkatërruese të saj si: amoraliteti, korrupsioni, vjedhja, lufta, interesat vetjake, dhe shumë vese të shëmtuar që po e deformojnë politikën. Politika në esencë është vlerë e lartë që ka për qëllim të organizojë jetën shoqërore me qëllim të zhvillimit të mirëfilltë të saj që njeriu dhe familja të gjejë lumturinë dhe kënaqësinë e saj në familje dhe shoqëri. Fundja, Islami e ka këtë detyrë të ndryshojë çdo një segment të jetës drejt pozitives. Do isha kategorik kundër keqpërdorimit të njërës apo tjetrës për interesa destruktive, që aspak nuk ka të bëjë as feja, e as politika e mirëfilltë.
KOHA: A ka ndonjë dallim trinia fetare shqiptare me atë të shteteve arabe?
FETAHU: Besimet në përgjithësi janë tolerante, sepse porositë fetare janë të Zotit. Keqinterpretimi i tyre sjell intolerance në botë. Pra, kudo në botë besimet i ofrojnë njerëzit të jenë në shërbim të njëri-tjetrit. Sa i përket asaj shqiptare, kam bindje se ajo vërtetë është unike në botë dhe model i respektimit të bindjeve të njëri-tjetrit. Këtë e kemi amanet nga kokat e mëdha të rilindësve tanë dhe duhet ta ruajmë si dy sytë e ballit.
KOHA: Si e balanconi kohën, pra sa i përkushtoheni familjes dhe punës?
FETAHU: Të dyja segmentet janë shumë të rëndësishme në jetën time. Të dyjave ju kushtojë maksimumin e angazhimit tim, sepse të dyja janë ngushtë të lidhura njëra me tjetrën. Krejt jetën time ia kam përkushtuar familjes dhe punës. M’u për këtë sot kam një familje mirë të shkolluar, të profesionalizuar dhe edukuar dhe me vetëdije të lartë mbi jetën dhe rrjedhën e saj. Në të njëjtën kohë edhe punën për kultivimin e vlerave islame e konsiderojë, së pari si mision të shenjtë që më obligon të jem në shërbim të tij, e pastaj si profesion. Vetëm kështu do të jem në shërbim të Zotit dhe njeriut.