Është e natyrshme që gratë të ndihen të shqetësuara lidhur me procesin e lindjes. Brengosja për dhimbjet e kontraksioneve dhe të intervenimeve si dhe pasiguria për procesin nuk janë të pazakonshme. Megjithatë për disa gra, frika nga procesi i lindjes mund të jetë aq e madhe sa të ndikojë në funksionet e përditshme. Kjo frikë e madhe nga lindja quhet “tokophobia” që nënkupton fobi nga procesi i lindjes së fëmijës. Për disa gra nënkupton edhe neveri nga shtatzënia. Kjo fobi mund të ndahet në dy tipe, primar dhe sekondar. Tokophobia primare ndodh tek gratë që nuk kanë lindur më parë, që zakonisht lidhet me ndonjë traumë që kanë përjetuar më parë, duke përfshirë edhe abuzimet seksuale. Gjithashtu lidhet edhe me ekspozimin ndaj imazheve të lindjeve të vështira, apo nëse kanë dëgjuar për histori të tilla. Ndërsa gratë që vuajnë nga tokophobia sekondare kanë pasur eksperiencë traumatike të lindjes më parë, e cila i ka lënë të frikësuara ta përjetojnë atë proces përsëri. Është e vështirë të thuhet se sa është i lartë numri i grave që vuajnë nga ky çrregullim. Studiuesit besojnë që shifrat sillen nga 2.5% deri në 14%.