Faza e parë do të kushtojë 1.7 milionë denarë, thonë kompetentët. Bëhet fjalë për ndërtimin e një sistemi të ri meqë pas shkatërrimit total të sistemit për vaditje, nuk ka mundësi për sanimin e tij, por vetëm të ndërtimit të një sistemi, kanë deklaruar në Dibër ekspertët që realizuan elaboratin dhe projektin
Vjollca SADIKU
Dibër, 11 janar – Pas afër një dekade e gjysëm, filloi realizimi i projektit për rehabilitimin të sistemit për vaditje të fushës së Dibrës. Pas shkatërrimit të tërësishëm të sistemit për vaditje u ndërpre furnizimi me ujë për vaditje të Fushës së Dibrës. Buqit dibran plot 15 vite tokën e vet nuk mund ta ujisin dhe dëmet nga ky problem janë tejet të mëdha, shkruan gazeta KOHA.
Ministria për Bujqësi gjatë vitit të kaluar vendosi që të realizojë projektin për vaditjen e fushës së Dibrës me çka do të investohen 12 milionë euro. Pushteti vendor dhe përfaqësues të Ministrisë atë kohë ia arritën marrëveshje që rehabilitimi i sistemit të bëhet në disa faza. Pas përcaktimit të elaboratit dhe realizimit të projektit, këto ditë Ministria e Bujqësisë ka filluar realizimin e fazës së parë. Është hapur tenderi dhe pritet që shumë shpejt të përfundojë përzgjedhja e kompanisë që do ta bëjë rehabilitimin e sistemit. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka në prezantimin e projekteve në fundvit, ka deklaruar se bëhet fjalë për projekt shumë domethënës për zhvillimin e bujqësisë në Dibër. Faza e parë do të kushtojë 1.7 milionë denarë, thonë kompetentët. Bëhet fjalë për ndërtimin e një sistemi të ri meqë pas shkatërrimit total të sistemit për vaditje, nuk ka mundësi për sanimin e tij, por vetëm të ndërtimit të një sistemi, kanë deklaruar në Dibër ekspertët që realizuan elaboratin dhe projektin. Është një projekt i cili është nga Programi për zhvillimin e bujqësisë me përkrahje edhe të IPA programeve të Bashkimit Europian. Me projektin pritet që nën sistemin për vaditje të përfshihen 1200 hektarë tokë pjellore, e cila në të kaluarën ka dhënë një kontribut shumë të madh në sferën e kulturave bujqësore. Pas ndërtimit të akumulacionit të Liqenit të Dibrës mbi tokat pjellore të fushës së Udovës, me qëllim që të ndërtohet hidrocentrali Spile, buqit dibran aktivitetin e tyre e zhvillonin në Fushën e Dibrës e cila pa ujë megjithatë nuk i jepte rendimentet e pritura. Pikërisht për këtë çështje, në fillim të viteve ’70, pushteti lokal dhe qendror në atë kohë vendosi që të ndërtoj sistemin për vaditje duke shfrytëzuar ujin e Liqenit të Dibrës.
Shoqata e Bujqve dibran thekson se humbjet kanë qenë katastrofale për bujqësinë. “Ka patur ankesa të shumta nga ana e bujqve të cilët kanë kërkuar funksionimin e sistemit për vaditje”, thotë kryeshefi i njësisë i Minsitrisë të Buqësisë, Arben Mulladauti. Prandaj, sipas tij, sistemi për vaditje është tejet i nevojshëm për Fushën e Dibrës. Gjatë kësaj periudhe, kur sistemi nuk funksionon përveç uljes së rendimenteve, ka patur edhe ulje të numrit të kulturave bujqësore. Po ashtu ka edhe një ulje të madh të numrit të familjeve bujqësore që merren me bujqësi, thonë përfaqësuesit e Shoqatës së Bujqve dibran. Njëherësh, mungesa e vaditjes së tokës në Fushën e Dibrës ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në kualitetin e tokës. Në shumë pjesë të fushave mos punimi dhe shfrytëzimi nga ana e fermerëve përbën një shqetësim të madh për ekonominë e komunës. Statistikat jozyrtare flasin se rritet numri i hektarëve të tokës së braktisur dhe faktikisht – një përqindje e madhe e fushës së Dibrës sot është tokë djerrinë.
Tani, me fillimin e fazës së parë, thuhet se për vaditje të një hektari – një bujk duhet të paguajë 100 euro gjatë sezonit. Pikërisht çmimi i vaditjes mund të hap probleme tjera rreth interesimit të bujqve, respektivisht fermerëve për shfrytëzimin e sistemit, i cili do të funksionojë nëpërmjet pompave me rrymë elektrike. Tani kur një pjesë e madhe e familjeve bujqësore kanë marrë rrugën e migrimit, hapet një pikëpyetje e madhe rreth interesimit për të vaditur tokat. Një pjesë e mirë e fermerëve dibran thekson se ata që do të ekonomizojnë me sistemin për vaditje, duhet ta kenë të qarët se marrja e tokës pjellore të Fushës së Udovës dhe ndërtimi i hidrocentralit, respektivisht akumulimit të liqenit të Dibrës është një argument i madh që institucionet qendrore ta kenë parasysh vendosjen definitive të çmimit të ulët të vaditjes të fushës së Dibrës. (koha.mk)