Kushtet klimatike kanë bërë të mbjellat e dibranëve të kenë ngecje, por megjithatë edhe krahas kësaj siç njoftojnë nga Zyra e Ministrisë së Bujqësisë në Dibër, janë mbjell 75 për qind të tokave bujqësore
Vjollca SADIKU
Dibër, 14 dhjetor – Bujqit e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë janë drejt përfundimit të të mbjellave vjeshtore. Në njësinë e Ministrisë së Bujqësi Pylltarisë dhe Ujërave në Dibër për KOHA informojnë se bujqit e këtyre dy komunave me sukses po realizojnë aktivitetin e të mbjellave vjeshtore. Sipas krye-shefit të zyrës së Ministrisë së Bujqësisë në Dibër, Arben Mulladauti deri më tani në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, Fermerët kanë kryer aktivitetin për mbjellje në pjesën më të madhe të tokës së planifikuar, ndërsa pjesa që ka mbetur do të përfundoj së shpejt. Ai shton se janë mbjell 75 për qind e tokës pjellore të planifikuara me të mbjella vjeshtore.
“Është paraparë mbjellja e 220 hektar tokë me kultura vjeshtore ku dominon drithi. Pjesa tjetër respektivisht 25 për qind të tokave të parapara për ti mbjell, që kanë ngelë, besoj se do të realizohen shumë shpejt pasi që tani lagështia e tokës është shumë e përshtatshme për tu mbjell me sukses dhe pa problem”, tha Mulladauti.
Sipas tij, bujqit dibran kanë ngecur pak në kohë me të mbjellat e sivjetshme. “Kushtet klimatike të cilat mbizotëruan në komunën tonë kanë pa mundësuar mbjelljen e kulturave vjeshtore. Shkak kryesor për këtë vonesë ishte mungesa e reshjeve atmosferike në këtë sezon vjeshtor me çka bujqit e komunës Dibër dhe të Qendër Zhupës ishin të penguar të zhvillojnë punët e tyre si pasojë e mungesës së nevojshme të lagështisë në tokat punuese”, theksoi Mulladauti. Nga ana tjetër, bujqit dibran arsyetojnë vonesën e të mbjellave vjeshtore me mungesën e reshjeve atmosferike gjegjësisht shiut. “Është një faktor kryesor dhe problematikë e madhe, pasi që toka ishte shumë e thatë dhe nuk të jepte mundësi për të mbjella e të punuar tokat. Sa u takon mjeteve punuese, bujqit janë të furnizuar me mjete të mire të cilët ua lehtësojnë punën në lavrimin e tokave të tyre”, thonë bujqit.
Krye-shefi i Zyrës së Ministrisë së Bujqësisë në Dibër, Arben Mulladauti sugjeron të gjithë kultivuesit dhe bujqit e dy komunave në fjalë, që gjatë mbjelljeve të kulturave vjeshtore të përdorin farëra kualitative e të certifikuara nga barnatoret bujqësore, me çka Ministria e Bujqësisë për të gjitha shpenzimet e farërave në fjalë i kompenson, me qëllim që të ketë rendimente më të larta e të pastra të të mbjellave vjeshtore. Nga kjo ministri po ashtu bëjnë edhe monitorimin në teren dhe i ndjekin aktivitete e bujqve. Krahasuar me vitin 2018, këtë vit ka pasur një ulje të vogël të sipërfaqes së tokës e cila është caktuar për mbjellje.Ndryshe, përveç kësaj në Zyrën Rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në dibër zhvillohen edhe aktivitete të tjera për bujqit e blegtorët. Në vazhdë është duke u realizuar edhe paraqitja e blegtorëve të cilët kanë dorëzuar qengja në kapacitete therëse që të aplikojnë për subvencione. Ndërsa ata fermer të cilët merren me prodhime organike duhet që të aplikojnë pran kësaj njësie me qëllim të përfitimit të subvencioneve të cilët drejtpërdrejt ndikojnë në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. (koha.mk)