Tiranë, 20 korrik – Nga 4 korriku kur ishte regjistruar lëkundja e parë në afërsi të Durrësit, toka shqiptare vazhdimisht po lëkundet.
Tre tërmetet e fundit janë regjistruar mëngjesin e sotëm nga ora 01:00 deri në orën 04:51 me epiqendra në qytetet Peqin, Gjirokastër, dhe Vorë në Tiranë. Tërmetet ishin me intensitet deri 2,2 shkallë sipas shkallës së Rihterit.
“Nga tërmeti i parë i cili ishte me intensitet prej 5,2 shkallë sipas Rihterit, me epiqendër në Durrës, deri më sot, janë regjistruar 830 lëkundje me intensitet të ndryshëm. Të gjitha janë me intensitet më të dobët nga i pari, dhe janë prej 2,2 deri 4,7 shkallë. Toka dalëngadalë po qetësohet dhe vlerësoj se nuk ka vend për panik”, deklaroi sizmologu Edmond Dushi.
Megjithatë, sipas tij, tërmetet janë të paparashikueshme dhe nuk mundet me siguri të thuhet se do të ketë ende tërmete ose jo, veçanërisht nëse dihet se Shqipëria gjendet në rajon tektonik aktiv.
Tërmetet shkaktuan vetëm dëme të vogla materiale dhe pakënaqësi te qytetarët.
Një pjesë e lëkundjeve të cilat ishin me intensitet më të fuqishëm ishin ndjerë edhe në pjesën perëndimore të Maqedonisë, veçanërisht në rajonin e Dibrës.