Toka po ngrohet për 140 për qind më shpejt se sa është pritur, tregojnë studimet më të reja klimatike të publikuar në revistën “Zhurnali klimatik”. Të dhënat e reja të sistemit për përpunimin e të dhënave nga satelitët e NASA’s (Remote Sensing Systems) tregojnë se pjesët e ulëta të atmosferës nga viti 1998 deri sot janë ngrohur më shpejtë se që kanë treguar hulumtimet e mëhershme. Studimet tjera, tregojnë se trendet e ngrohjes së Tokës së shpejti do të shpejtojnë në mënyrë domethënëse. Ajo që kanë treguar matjet më të reja është se Toka momentalisht po nxehet në dy shpejtësi të ndryshme. Një pjesë e madhe e hemisferës jugore e mbuluar me Oqeanin Paqësor, atë Antarktik apo Oqeanin Jugor, të cilët janë relativisht më të ftohët se pjesa tjetër e botës, prandaj kjo pjesë po ngrohet më ngadalë. Në ndërkohë, Arktiku dhe pjesët kontinentale të hemisferës veriore po ngrohen më shpejtë. Ekspertët klimatik paralajmërojnë se megjithatë edhe jugu do të ngrohet, dhe atëherë ngrohja globale e atmosferës së Tokës do të shpejtohet. Korriku i sivjetmë është përvëlues në pjesën më të madhe të botës, ndërsa në SHBA dhe Iran gati çdo ditë “arrihen” rekorde të temperaturave mbi 50 shkallë të Celsiusit.