Ndryshimet e ligjit për tokë shtetërore pritet të mundësojnë një nxitje më të madhe për ndërtimin e restoranteve, zhvillimin e turizmit rural, zhvillimin e bletarisë, ndërsa paraqesin edhe nga stimulimet shtesë për fermerët e inj
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 gusht – Ndryshimet e ligjit për tokë shtetërore që i miratoi Parlamenti javën e kaluar, pritet të mundësojnë një nxitje më të madhe për agrobiznesin duke filluar nga mundësia më e madhe për ndërtimin e objekteve hotelerike apo restoranteve që do të ndihmojë edhe zhvillimin e turizmit rural, si dhe do të mundësojë zhvillimin e bletarisë përmes shfrytëzimit të tokës shtetërore. Njëherësh ato do të paraqesin një nga stimulimet shtesë së bashku me mjetet falas për fermerët që të rinjtë gradualisht ti kthehen bujqësisë dhe blegtorisë, shkruan gazeta KOHA.
“Me ndryshimet mundësohet që në tokën bujqësore të ndërtohen objekte hotelerike dhe objektet sportive-rekreative edhe përmes shfrytëzimit të mjeteve IPARD, ndërsa kompanive do tu mundësojë që më lehtë të realizojnë planet e biznesit. Njëherësh ju mundësohet edhe bujqve të rinj deri në 40 vjet që të shfrytëzojnë falas tokën shtetërore në tre vitet e para të marrjes së saj me qira”, thotë ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski.
Sipas tij, zgjerohet edhe dedikimi i tokës bujqësore, e cila në të ardhmen do të mund të jepet me qira edhe për marrjen me bletari.
Gjithashtu do të mundësohet që edhe ekonomitë bujqësore të mund të aplikojnë për shpalljet që mundësojnë që të sigurojnë tokën prej dhjetë hektarë, edhe përkundër asaj se tash më kanë nënshkruar marrëveshje me shtetin për hapësira më të vogla bujqësore deri më tre hektarë. Ndryshimet e reja të legjislacionit mundësojnë edhe ndryshimin e kulturave bujqësore , ndërsa nëse i pari në listë nuk nënshkruan marrëveshje për qira të tokës, kjo e drejtë i kalon të dytit në listë. Ofrohet edhe mundësia për ndarjen e tokës me qira ku ka të mbjella shumëvjeçare nga bujku i panjohur me qëllim që të vendoset në funksion e tërë toka bujqësore.
Pra, risi është edhe ndryshimi i kulturave të mbjella që përcaktohen me biznes planin, me çka bujqit do të mund të orientojnë sërish prodhimin e tyre nëse njëjti ndryshim nuk ndikon në kohëzgjatjen e qirasë së tokës. Parashikohet edhe afati i ri i legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje dhe atë deri më 31 korrik të vitit 2020 për oranzheritë, objektet ndihmëse dhe objektet për përpunimin primar të prodhimeve bujqësore.
Nga ministria e bujqësisë thonë se po ndërmerren të gjitha masat e mundshme parandaluese, së bashku me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për ndalimin e përhapjes eventuale të etheve afrikane të derrave nga Bullgaria fqinje ku kjo sëmundje ka shkaktuar dëme prej 300 milionë euro. Sëmundja nuk paraqet rreziqe për shëndetin e njeriut, por ka potencial për të shkatërruar jetesën rurale dhe për të rrezikuar sigurinë e ushqimit dhe tregtinë në rajonet e prekura.
Në vitet e fundit, sëmundja është përhapur gradualisht dhe raste të saj janë shënuar në Bullgari, Hungari dhe Rumani, ndërkohë përbën një kërcënim serioz për Ballkanin. Mirëpo paraqet një humbje të madhe për fermerët për shkak në rast të paraqitjes së sëmundjes duhet të shkatërrohet e tërë ferma, që nuk guxon të fillojë me punë pa kaluar së paku nëntë muaj.
Gjithashtu nga ky dikaster thonë se po bëjnë përpjekje që të dyja palët edhe grumbulluesit, por edhe vreshtarët, të mbeten të kënaqur me çmimin e blerjes së rrushit, ku në fund të fundit pritet që tregu të përcaktojë çmimin përfundimtar, ndërsa shteti të intervenojë vetëm në rast se ka nevojë për diçka të tillë. (koha.mk)