Formula 1 ka nevojë për disa ndryshime, por jo për revolucion. Është kjo ideja që ka presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Jean Todt, pas largimit të Bernie Ecclestone. “Mendoj se Formula 1 është një sport i madh. Mendoj se çdo sport duhet të jetë i paparashikueshëm dhe mendoj se vjet, titulli kampion për pilotë u vendos në fund. Unë jam i bindur se pronarët e rinj të Liberty media do të kenë një këndvështrim ndryshe për këtë sport, sidomos në lidhje me promovimin e Formula 1 dhe do të sjellin fansa të rinj”, u shpreh për mediat Jean Todt. Sipas numrit 1 të FIA-s, dominimi i Mercedes për një periudhë të gjatë nuk e ka dëmtuar spektaklin e Formula 1. Sipas Todt, ciklet janë pjesë e ADN-së së këtij sporti dhe kjo gjë do të ndodhë gjithnjë. Gjithçka varet nga fakti se cila skuadër përshtatet më mirë me ndryshimet. “Sot po dominon Mercedes, por para saj dominonte Red Bull e më parë Ferrari, McLaren, Williams e kështu me radhë. Kjo gjë ndodh edhe në sportet e tjera, si në futboll. Me ndryshimet që kemi bërë këtë vit në rregullore presim disa ndryshime, por le të presim garën e parë për të folur”, tha Jean Todt.