Së bashku kanë shkruar historinë e Formula 1. Mes Jean Todt, sot president i FIA-s dhe Michael Schumacher lindi një miqësi e fortë. Në në intervistë të dhënë për “La Republica”, ish-shefi i Ferrarit flet për gjithçka, por veçanërisht për Schumin, për gjendjen e tij shëndetësore pas aksidentit në Meribel të Francës:
“Nuk ka asnjë lajm të ri, përveç faktit që Michael po lufton çdo ditë për ta përmirësuar gjendjen e tij. Duhet ta mbështesim në këtë luftë, edhe bashkëshorten e tij Corina, që është një zonjë e mrekullueshme, e cila kujdeset për të dhe fëmijët. Duhet t’i ndihmojmë dhe të respektojmë dëshirat e tyre.”
I pyetur për lajmet që janë përhapur shpeshherë në medie për kurimin e Schumacherit, Todt u përgjigj:
“Kam dëgjuar gjëra të pabesueshme për shërimin e tij dhe si zakonisht ata që dinë diçka nuk flasin dhe ata që nuk kanë informacione, flasin më shumë. Jam i zhgënjyer që kur mbërriti në Paris për një kontroll, njerëzit që duhej të ruanin sekretin mjekësor, folën. Të gjithë duhet ta ndihmojmë që të ketë, le të themi, përmirësime të vazhdueshme.”