Klinika universitare për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” (Spitali i vjetër i qytetit) punon me kapacitet të zvogëluar dhe shumë shpejtë do të mbyllet tërësisht për shkak të rikonstruimit të tij themelor. Pas mbylljes së tij, pacientët do të orientohen në Qendrën klinike dhe në SPQ “8 Shtatori”. Kjo do të zgjasë një periudhë të caktuar kohore jo më shumë se dy muaj derisa spitali rikonstruohet.
Këtë sot e deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër i Shëndetësisë Nikolla Todorov, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas vizitës në Institutin për sëmundje të mushkërive. Është normale, theksoi, kur do të ndërmarrin punë të tilla ose rikonstruime të mëdha të ketë vëllim të zvogëluar të punës, sepse nuk mund të përzihet rikonstruimi serioz themelor dhe puna me pacientë.
“Pacientët duhet të transferohen në institucione tjera. Është normale që spitali gjithnjë e më shumë ta zvogëlojë numrin e pacientëve. Ashensori nuk punon sepse është paraparë ashensor i ri i cili duhet të ndërtohet dhe të ndërrohet ai aktual. Jo vetëm ashensori që nuk do të punojë, por edhe spitali do të mbyllet shumë shpejtë. Do të shohim nëse do të mbesin disa pjesë të spitalit në funksion. Kjo varet nga lloji i aparateve”, tha Todorov.
Theksoi se do të tentojnë të paktën pajisja për tomografi kompjuterike dhe për rezonancë magnetike të mbesin në funksion, por edhe ajo, sqaroi, nuk mund të garantohet për tërë periudhën e rikonstruimit, sepse bëhet fjalë për rikonstruim të parë themelor të spitalit, pasi është ndërtuar në vitet e 30-ta të shekullit të kaluar.
Shtoi se në këtë periudhë të rikonstruimit themelor, pacientët dhe punonjësit shëndetësorë duhet të kenë durim.