Shkup, 24 janar 2018 (MIA) – Ish-kryeministri dhe ish-lider i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe ish-kryetari i komunës Gazi Babë, Toni Trajkovski, të cilët janë të akuzuar në lëndën “TNT” të PSP-së, sot paradite erdhën në Gjykatën penale, ku duhet të mbahet seanca e parë.
Në gjykatë arriti edhe biznesmeni dhe kryetari i Partisë për ardhmëri evropiane, Fiat Canovski, pronar i kompleksit “Kosmos”, rrëzimi i të cilit lidhet me rastin “TNT”.
Në këtë lëndë, krahas Gruevskit, Janakieskit dhe Trajkovskit, të akuzuar janë edhe katër persona.
Me orarin e ri vjetor, lëndën “TNT” do ta drejtojë gjykatësi Ognen Stavrev.
Këshilli për vlerësim të aktit prokurorial pranë Gjykatës penale më 17 nëntor të vitit të kaluar e pranoi aktakuzën për rastin “TNT”.
Gjykata e Apelit më 4 nëntor të vitit të kaluar vendosi që bisedat e përgjuara në rastin “TNT” për rrëzimin e kompleksit “Kosmos” të mund të shfrytëzohen si dëshmi në procedurën gjyqësore.
Prokurorët nga PSP në seancë publike deklaruan se Gruevski dhe Janakieski nuk janë viktima të përgjimit, por ata kanë qenë pjesë e pushtetit që ka përgjuar në mënyrë joligjore. Sipas prokurorëve, incizimet kanë vlerë dëshmuese dhe me to nuk shkelet privatësia e të akuzuarve.
Avokatët e të akuzuarve konsiderojnë se bisedat e përgjuara janë përfituar në mënyrë joligjore dhe me to shkelet privatësia e të akuzuarve.