Rënia ekonomike si pasojë e pandemisë, mbylljes së bizneseve, uljes së aktivitetit ekonomik dhe konsumit, rritjes së papunësisë, ka dëmtuar ekonominë e Maqedonisë së Veriut edhe më shumë seç pritej
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 dhjetor – Ekonomia e Maqedonisë së Veriut në vitin e kaluar apo vitin e trubulencave të shkaktuara nga pandemia ka shënuar rënie më të madhe se vlerësohej paraprakisht. Me fjalë të tjera, rënia ekonomike si pasojë e pandemisë, mbylljes së bizneseve, uljes së aktivitetit ekonomik dhe konsumit, rritjes së papunësisë ka dëmtuar ekonominë e Maqedonisë së Veriut edhe më shumë seç pritej. Të dhënat e fundit statistikore tregojnë se ekonomia vendore ka shënuar një rënie prej 6 dhe jo 4.5 për qind siç dihej deri tani. E shprehur në shifra kjo do të thotë se kemi një zvetënim të ekonomisë prej 650 milionë euro dhe jo prej 489 milionë euro, duke marrë parasysh vlerën e parashikuar të PBB-së prej 10 miliardë e 824 milion euro në vitin e kaluar. Njëherësh ulje të ekonomisë në vitin e kaluar parashikonin edhe institucionet vendore dhe të jashtme financiare përskaj qeverisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi një ulje të PBB prej 4 për qind për ekonominë e vendit tonë, si rrjedhojë e uljes së kërkesë vendore dhe të jashtme. Pas publikimit të statistikave për uljen e PBB-së prej 6.1 në vend se 4.5 nga ana e statistikës zyrtare kanë reaguar edhe nga Ministria e Financave.
“Në raport me të dhënat për rritjen e realizuar ekonomike në vitin 2020, Enti i Statistikës ka realizuar korrigjim për më poshtë të tij, dhe kjo është një e dhënë preliminare. Theksojmë se korrigjime të tilla janë praktika të zakonshme deri në publikimin e të dhënave finale. Për shembull në vitin 2019, kishte korrigjim të mëposhtëm nga 3.2 në 2.9 të rritjes ekonomike”, thonë nga Ministria e Financave. Nga ana tjetër, në vitin e kaluar në të gjithë tremujorët kishte rritje të dobët ekonomike. Në tremujorin e parë kishte bile minus prej 1.3 për qind, në tremujorin e dytë kishte rënie prej 16.4 për qind etj. Uljen e rritjes ekonomike apo korrigjimin në dhjetor të vitit të kaluar e konfirmoi edhe Banka Popullore.
Banka Popullore për vitin 2020 parashikon rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 4.9 për qind dhe rritje vitin 2021 prej 3.9 për qind, duke bërë kështu një rishikim në rënie të projeksioneve pranverore, të cilat për këtë vit parashikojnë një rënie prej 3.5 për qind të PBB-së. Kjo, sipas Bankës Qendrore , është pasojë e zgjatjes së pandemisë dhe ndikimit të saj në të gjitha pikat e ekonomisë. Për sivjet projeksionet e Bankës Popullore, të cilat janë shumë afër parashikimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare, tregojnë për një rimëkëmbje të mëtejshme graduale të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, dhe për sivjet pritet rritje prej 3.9 për qind. Megjithatë, ka rreziqe që lidhen para së gjithash me zhvillimin e mëtejshëm të pandemisë me shfaqjen e llojeve të reja, që kërkon monitorim të kujdesshëm të gjendjes ekonomike dhe reagimit në kohë nga politik bërësit, në rast nevoje. Edhe në periudhën e përballjes me pandeminë, zbatimi i reformave strukturore është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ato janë parakusht për rritje të qëndrueshme dhe më të lartë ekonomike. Parashikimet e Bankës Popullore për sivjet të rritjes ekonomike janë të ngjashme me ato të Komisionit Evropian prej 4 për qind dhe Bankës Botërore prej 4.6 për qind. Nga Banka Popullore thonë se ekzistojnë disa faktorë kryesorë që do të ndikojnë në ecurinë dhe rezultatet e ekonomisë vendore.
Një rritje e konsiderueshme e kërkesës në tregjet e jashtme, me një efekt pozitiv ndaj përforcimit të eksportit që do të ketë efekte multiplikative në lidhje me më shumë segmente të ekonomisë sonë. Në bazë të Strategjisë së Ministrinë e financave (2022-2024), pritet konsolidim fiskal gradual në periudhë afatmesme, me një deficit buxhetor nën 3 për qind në vitin 2024. Gradualisht do të përforcohet cikli investues nga investitorët privat dhe publik, në kushtet të ambientit më stabil dhe uljes së përmbajtjes apo hamendjes për të investuar të investitorëve të huaj dhe vendor. (koha.mk)