“Arsyeja e parë është rënia e natalitetit. Arsyeja e dytë është nga vetë fakultetet, pasi numri i lartë i universiteteve po sjell mungesë cilësie. Arsyeja e tretë është punësimi i ulët midis të diplomuarve. Sipas EUROSTAT-it, probabiliteti që studentët me arsim të lartë në Maqedoni të punësohen është 55.4 për qind, ndërsa ata që kanë përfunduar arsimin e lartë në vendet e BE-së gëzojnë një probabilitet prej 83 për qind”, thotë Paviçeviç
Zenel MIFTARI
Shkup, 15 qershor – Numri i zvogëluar çdo vit i maturantëve, të cilët konkurrojnë në provimet e maturës shtetërore është shqetësuese për autoritetet në vend. Sipas statistikave të publikuara, gjatë vitit shkollor 2019/2020 për maturën shtetërore kanë aplikuar 13.200 maturantë, ndërsa një vit më parë – gjatë vitin shkollor 2018/2019, kishte më shumë se 16.000 maturantë, ndërsa ata që aplikuan për ta marrë maturën shtetërore – ishte rreth 15.000. Ndërkohë, këtë vit, kemi një rritje të numrit të nxënëseve që aplikuan për maturën shtetërore në krahasim me numrin e vitit të kaluar, ku numri i maturantëve që nënshtrohen në maturën shtetërore arriti në 15.294 maturantë. Por nëse e krahasojmë këtë numër me maturantët e vitit 2012, është shqetësues sepse atë vit kemi pasur afër 19.000 kandidatë për maturën shtetërore.
Luka Paviçeviç, kryetari i Unionit të Nxënëseve të Shkollave të Mesme (UNSHM), për gazetën KOHA, ka deklaruar se ekzistojnë tre faktorë pas rënies së numrit të nxënëseve të shkollave të mesme që i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore.
“Arsyeja e parë është rënia e natalitetit. Arsyeja e dytë është nga vetë fakultetet, pasi numri i lartë i universiteteve po sjell mungesë cilësie. Arsyeja e tretë është punësimi i ulët midis të diplomuarve. Sipas EUROSTAT-it, probabiliteti që studentët me arsim të lartë në Maqedoni të punësohen është 55.4 për qind, ndërsa ata që kanë përfunduar arsimin e lartë në vendet e BE-së gëzojnë një probabilitet prej 83 për qind”, shprehet ai. Sipas tij, për këto raste – të rinjtë nuk janë të kënaqur dhe kështu kërkojnë alternativa tjera. “Në mënyrë që të ndryshojnë drejtimin e kësaj tendence, universitetet duhet të rrisin cilësinë e programeve të tyre dhe të sigurojnë aftësitë e nevojshme për një vendosje të mirë në tregun e punës”, shprehet ai. Në uljen e numrit të nxënësve ka ndikuar edhe fakti se çdo vit lindin fëmijë më pak. Nëse i shikojmë statistikat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, çdo vit kemi pasur ulje të lindjeve të fëmijëve të gjallë në vend. (koha.mk)