Fenomeni i dopingut vijon të godasë pa fund peshëngritjen shqiptare. Pas rastit të Romela Begajt, e cila rezultoi pozitive në botërorin e Anahaimit, duke humbur titullin e kampiones së botës, është një tjetër peshëngritëse femër që bie në kthetrat e substancave të ndaluara.
Evangjeli Veli ka rezultuar pozitive në testet e kryera nga Komisioni i Anti-dopingut në Shqipëri. Në ndryshim nga rastet e shkuara, kësaj here ka qenë pikërisht ky komision që ka zbuluar përdorimin e substancës ‘Klenbuterol’. Mësohet se kontrolli është kryer 2 javë më parë në hotelin ku ndodhet e grumbulluar përfaqësuesja shqiptare, në prag të Kampionatit Europian që do të zhvillohet në Rumani.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka ndërmarrë menjëherë masa, duke e pezulluar shtangisten dhe i ka kërkuar Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, t’i heqë bursën olimpike që i akordoi vetëm një javë më parë. Në këtë mënyrë 26-vjecarja nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Europian, aty ku synonte edhe medalje.
Vetë shtangistja fierake pretendon se ka përdorur një medikament për shkak të një ftohjeje, megjithatë për momentin ky pretendim nuk është marrë parasysh nga Komisioni Shqiptar i Anti-dopingut, duke qenë që substanca në fjalë mund të përdoret edhe në rast të një gjendjeje gripale, por është e ndaluar nga agjencia ndërkombëtare e anti-dopingut sepse rrit masën muskulore dhe ndihmon në djegien e masës së tepërt dhjamore.
Veli vinte nga një vend i 8-të në Kupën e Botës, ndërsa tani rrezikon një dënim 2-vjeçar. Në këtë mënyrë zgjerohet edhe më shumë skandali i dopingut në peshëngritjen shqiptare.