2.8 milionë rastesh të reja janë raportuar në të gjithë globin vetëm shtatë ditët e fundit, përfshirë edhe 40 mijë viktima të reja. OBSH thotë se Evropa ka përqindjen më të madhe të rasteve të reja të njoftuara për të dytën javë radhazi me më shumë se 1.3 milionë raste, një rritje prej 33% krahasuar me javën e mëparshme.
Rastet janë po ashtu në rritje në Amerikë, rajonin e Mesdheut Lindor dhe atë afrikan, ndërsa rënie vazhdon të raportohet në Azinë Juglindore dhe Rajonin e Paqësorit Perëndimor.
Vendet që raportuan numrin më të lartë të rasteve gjatë javës së kaluar janë India, Shtetet e Bashkuara, Franca, Brazili dhe Britania – të njëjtat vende si tre javë më parë. Shifrat në rritje kanë detyruar autoritetet në Gjermani dhe Francë, të rikthejnë izolimin. Do të mbyllen bizneset epanevojshme, do të ketë kufizime shtesë lëvizjeje, megjithatë shkollat dhe fabrikat për momentin mbeten të hapura.
Në përpjekje për të zhvilluar një vaksinë të re të koronavirusit, kompania farmaceutike amerikane Pfizer tha se provat e saj me vaksinën eksperimentale, që po zhvillon me kompaninë BioNTech të Gjermanisë, që janë në fazën përfundimtare, nuk kanë arritur një rezultat domethënës, duke e bërë të pamundur që ajo të hidhet në treg përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.