Evis HALILI
Shkup, 4 prill – Stendat e librit shqip në Panairin e Librit që u çel të martën në mbrëmje, mund t’i gjesh të tubuara në njërin krah të sallës kryesore. Janë gjithsej gjashtë, tre prej të cilave me literaturë kryesisht fetare, si Nun, Furkan dhe Misioni Shqiptar i Kishës Adventiste (Tirana), së bashku me Logos-A dhe Albas, shkruan gazeta KOHA. Ndërsa stenda “Dituria”, ishte bosh, në pritje të botuesit dhe librave nga Shqipëria. Në ditën e parë të panairit fluksi i vizitorëve ishte i vogël, por fundjava dhe ditët e tjera kur pritet të çelen edhe dy panaire të tjera, ai i Arsimit dhe Turizmit mund të sjellë më shumë vizitorë, por edhe shitje. Libri shqip dhe numri i botuesve çdo vit vjen duke u reduktuar. Zbrazëtira më e madhe është krijuar nga mungesa e botuesve nga Shqipëria, si Toena, Onufri, Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Dudaj, e të tjera, stendat e të cilëve ofronin shumëllojshmëri titujsh, aktivitetesh, por edhe çmimesh të volitshme. Përveç Albas dhe Logos-A, stendat e tjera janë të vogla, ashtu si edhe vetë titujt e prezantuar në to. Siç pohojnë edhe një pjesë prej tyre më shumë sesa për të shitur prezenca e tyre në këtë panair ka për qëllim prezantimin e librave, duke përjashtuar edhe çdo organizmin tjetër, promovim, apo aktivitet që rëndom është pjesë e ditëve të panairit. “Në panair prezantohemi me mbi 300 tituj dhe si risi kemi tre libra të rinj – Metodologjia, Fenomeni i arti dhe Besëlidhja e thirrjes islame. Ndërsa për botime të veçanta kemi ulje çmimesh deri në 50 për qind”, thotë për KOHA, Zinure Emini nga Logos-A. Nga 50 deri në katër mijë denarë janë çmimet e librave dhe kompleteve të librave, madje në disa stenda ulja e çmimeve shkon nga 30 deri në 50 për qind.
“Te Albas dominon literatura për fëmijë. Kemi librat parashkollorë dhe deri në ciklin e lartë, seri të ndryshme, libra të ilustruar me zë dhe figura, por edhe bestsellera për të rritur dhe botimet më të fundit. Çmimet janë të volitshme dhe kemi ulje për libra të caktuar”, thotë Arife Demiri nga Albas. Ndërsa eksplorimi i botës shpirtërore përmes këndvështrimit fetar e has tek tre shtëpitë botuese Furkan, Nun dhe Misioni Shqiptar i Kishës Adventiste. Astronomia, arkeologjia biblike, këshilla që të jesh i lumtur dhe si të mos hidhërohesh, të dashurosh dhe të duash jetën, të gjesh rrugën e vërtetë, të ushqehesh shëndetshëm, i gjen në pjesën më të madhe të këtyre librave. “Kryesisht dominojnë librat fetarë, por që kanë përmbajte sociale, filozofike dhe po ashtu kemi një numër të vogël librash që nuk janë fetarë, por botime shkencore. Jemi munduar të bëjmë një përzgjedhje për të gjithë”, thotë Agim Abazi nga Furkan. Stenda e Misionit Shqiptar të Kishës Adventiste (Tirana) ndodhet mes shtëpive botuese shqiptare dhe pranë Dëshmitarëve të Jehovait, Zbulimit, e librave në gjuhën turke. “Nuk janë vetëm libra fetarë, por edhe shëndetësorë, filozofikë, arkeologjikë, e të tjera. Ky është viti i tretë që vijmë në këtë panair dhe kujdesemi që të sjellim botime dhe libra që mund të lexohen nga të gjithë, qoftë edhe nga një besimtar mysliman”, thotë Gentian Thomollori. Edicioni i 29 –të i Panairit të Librit në total prezanton mbi 80 mijë libra. Gjatë kësaj jave do të zhvillohen 60 aktivitete të ndryshme nga botuesit maqedonas dhe të huaj, ku mes të cilave janë edhe aktivitetet për fëmijë. Ambasada suedeze këtë vit prezantohet me librin dhe autorë e librave për fëmijë, ku në një kënd të posaçëm organizon edhe aktiviteteve për fëmijë, orë leximi, e të tjera. Ajo që bie në sy është kujdesi që i kanë kushtuar promovimit në dy gjuhë, përveç librave në anglisht, edhe në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Po ashtu aktivitete në dy gjuhë për fëmijë në ditën e patë të Panairit organizonte edhe “Prosvetno dello”. Salla numër është vendi i zgjedhur për botuesit e librave për fëmijë, ku edhe gjendet Këndi i fëmijëve, në të cilin përveç promovimeve të librave do të zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme edukative dhe argëtuese.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara