Cfare thoshte Enver Hoxha në mitingun e madh të Peshkopisë të mbajtur më 16 dhjetor të vitit 1967 vetëm pak ditë pas tërmetit të fortë që shkaktoi 12 viktima dhe 171 të plagosur si dhe mijera shtëpi të rrëzuara në rrethet e Dibrës dhe Librazhdit ku dëmet ishin edhe më të mëdha.
Si i propagandonte udhëheqësi komunist Heronjtë e Punës Socialiste, si: Shkurte Pal Vata, Adem Reka, Fuat Çela, Pjetër Lleshi, Muhamet Shehu, Myrteza Kepi, etj, për të mobilizuar masat e popullit në punën për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara brenda muajit dhjetor të vitit 1967 dhe planin e rendimentin në kulturën e misrit dhe çfarë thoshte ai për ngjarjet që ndodhin në shtete të ndryshme të botësi, si: SHBA, Bashkimi Sovjetik, Jugosllavi, Marok, Vietnam etj., dhe udhëheqesit e këtyre vëndeve si: Xhonos, Brezhniev, Josfif Broz Tito, etj. Memorie.al publikon fjalen e Enver Hoxhes.
“Organizimi i rrufeshëm për zhdukjen e pasojave të tërmetit në rrethet e Dibrës dhe të Librazhdit do të na japë neve mësime kolosale në këto drejtime. Por çfarë do të rezultojë nga përvetësimi i kësaj përvoje të madhe nga masat tona punonjëse në gjithë sektorët? Kjo punë do të na sjellë përfitime të mëdha. Komiteti Qendror i Partisë, për shembull, kur shqyrtoi planin e vitit 1968, vendosi të tejkalohen rendimentet e parashikuara të bimëve të ndryshme në bujqësi.
U morën me këtë rast disa vendime, të guximshme revolucionare, të cilat vetëm të fjeturit nuk mund t’i pranojnë, kurse revolucionarët do të thonë se këto janë akoma pak. Prandaj edhe ju në Dibër në këto kushte me siguri do të mendoni: «Edhe për ne e ka fjalën Komiteti Qendror që në një të katërtën e sipërfaqes së misrit të marrim 40 kuintalë misër për hektar».
Unë kam bindjen se ju do të jeni nga të parët që do të premtoni që jo në një të katërtën, po në gjysmën e sipërfaqes së misrit të merrni jo 40 kuintalë, por 50 kuintalë misër për hektar. Këtë e them pasi ju keni një popull heroik e patriot, si i gjithë populli ynë, pastaj ju keni një përvojë të madhe në kultivimin dhe ujitjen e misrit dhe se Partia, si kudo te ne, ju ka dhënë tani të gjitha mundësitë, në radhë të parë për ngritjen politike dhe ideologjike, ju ka dhënë edhe mundësi të tjera dhe do t’ju japë akoma më shumë në të ardhmen, si farëra të zgjedhura, plehra, etj., etj
Fatkeqësia natyrore që u ndodhi vëllezërve tanë të Dibrës matanë kufirit, i ka vënë titistët në pozita jashtëzakonisht të vështira, sepse ndërsa këtej kufirit, në vendin tonë, ku po ndërtohet me sukses socializmi, po ngrihen 5.000 e ca shtëpi të shkatërruara e të dëmtuara brenda 20 ditëve, nga ajo anë njerëzit vuajnë jo vetëm nga dimri që ka filluar, por do të vuajnë për vite të tëra.