Seanca e sotme për lëndën “Titanik” të PSP-së është shtyrë pasi deri tek Gjykata ende nuk ka arritur përgjigje e kërkesës së avokatit Elenko Milanov për përjashtimin e këshillit gjyqësor, të kryetarit të Gjykatës penale dhe të gjykatësve të Gjykatës së Apelit në Shkup. Gjykatësi Osman Shabani, seancë të re caktoi më 2 maj. Avokati Milanov kërkoi përjashtim të gjykatësve Osman Shabani dhe Ognen Stavrev nga kjo lëndë, sepse, siç tha, prokurorja speciale publike Katica Janeva ka deklaruar për një televizion se një pjesë e gjykatësve ishin përgjuar ose kanë qenë në “bombat”. Ai kërkoi të kontrollet nëse gjykatësit Stavrev dhe Shabani ishin përgjuar për çka, siç tha, deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga PSP-ja.
Në seancën e sotme nuk mori pjesë Gordana Jankullovska për shkak të “shtatzënisë së rrezikshme”. Avokatja e Jakullovskës, Sasnja Aleksisq tha se pushimi mjekësor i zgjatë deri sot dhe se nesër është në kontroll mjekësor pas çka do të mësohet nëse do të vazhdohet pushimi mjekësor. Nga arresti shtëpiak sot në Gjykatën penale nuk janë sjell Edmond Temelko dhe Munir Pepiq.
Në “Titanik”, që është rasti i parë i zbardhur nga PSP-ja, përveç ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, të akuzuar janë edhe ish-funksionarët Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska-Boshkoski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Vekovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçevski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska. Ata dyshohen nga PSP-ja për shoqatë kriminale, shkelje të të drejtës zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatave zgjedhore në vitin 2012.