Shkup, 17 gusht – Në një pjesë të bombave që sot dëgjohen në Gjykatën Penale në Shkup u lëshua edhe një incizim në të cilin bisedojnë ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe Martin Protugjer, shef i Kabinetit të ish-kryeministrit për kronikat e gazetarëve në televizionin A1 se çdo i punësuar në administratën shtetërore duhet të propozojë nga 15 votues.
“Goxha i kanë përgatitur. Shoh kronikë dhe i pyesin njerëzit për kë do të votojnë dhe këta thonë për VMRO-në. I pyesin pse dhe këta thonë se do t’i punësojnë apo për diçka tjetër. Ishte goxha, nuk e di si nuk i njohin nga zëri gjithë ditën janë në TV. Do të duhet mirë të mendojmë si do të reagojmë”, thotë Jankullovska gjatë bisedës.
Në një bisedë tjetër, Protugjer i thotë Jankullovskës se nuk e di si të reagojnë në këtë dhe se duhet t’i padisin gazetarët.
Një pjesë e “bombave” që u dëgjuan ishte edhe biseda mes Jankullovskës dhe Protugjerit për kronikat e Televizionit Kanal 5.
“Kanal 5 nuk i mbulon ngjarjet, ndërsa pronari është te ne në listë. Duhet t’u bëjmë pak presion”, thotë Jankullovska.
Para të pranishmëve në sallën gjyqësore u prezantuan edhe audio incizime të cilat zbulojnë si janë mobilizuar të punësuarit në Doganë, si dhe incizime mes ish funksionarëve në të cilat ato bisedojnë për votuesit nga diaspora dhe sa janë paraqitur zyrtarisht në KSHZ, si dhe për kandidatët potencial në zgjedhje të cilët munden dhe do të kishin mundësi më të mira të jenë në listë në njësitë zgjedhore.
Mbrojtja sërish reagoi se incizimet nuk kanë asnjë vlerë dëshmuese, në të cilën gjykatësi Osman Shabani tha se dëshmitë janë pranuar dhe do të prezantohen, ndërsa pastaj Gjykata do të vlerësojë nëse ato kanë të bëjnë me vepër penale apo jo.