Shkup, 22 mars – Seanca e sotme gjyqësore për lëndën “Titanik” shtyhet për shkak se një anëtar i Këshillit Gjyqësor ka marrë vendim për izolim, informojnë nga Gjykata Themelore Penale në Shkup.
Sipas kumtesës, është shtyrë edhe seanca e ardhshme e paraparë për më 29 mars të vitit 2021, ndërsa debati i ardhshëm është caktuar për më 5 prill.
Përveç ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili është arratisur, në “Titanik” janë të akuzuar edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska-Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristoski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marian Nakeski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.
Ata dyshohen për shoqërim kriminal, shkelje të të drejtës së votës, shkelje të lirisë në përcaktimin e votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore.
Gjykimin për këtë rast e udhëheq gjykatësi Osman Shabani, përderisa akuzën e përfaqëson prokurorja Lile Stefanova.