Shkup, 2 prill – Gjykatësi Osman Shabani e shtyu gjykimin për lëndën “Titanik” të PPS-së për më 12 prill, që të mundet mbrojtja e të akuzuarve të bëjë ekspertizë në materialet dëshmuese.
Mbrojtja e të akuzuarve në fillim të gjykimit që mbahet në ndërtesën e re të Gjykatës Penale, kërkoi shtyrje të seancës së sotme që të bëjnë ekspertizë në dëshmitë dhe të përgatiten për debatin kryesor. Mbrojtja kërkoi që gjykata t’i shtyjë edhe tre seancat e ardhshme të caktuara për këtë muaj, ndërsa koha do të shfrytëzohet për ekspertizë të lëndës. Një pjesë e avokatëve thanë se aspak nuk kanë marrë CD me dëshmi materiale të cilët janë në 25.000 faqe.
Nga PPS-ja ishin kundër dhe vlerësojnë se propozimi i mbrojtjes është me qëllim të zgjatet procedura. Prokurorja Lile Stefanovska kërkoi që propozimi të refuzohet si i pabazë.
Gjykatësi Osman Shabani në seancën e sotme ua tërhoqi vëmendjen të akuzuarve të mos u përdorin telefonat celular në sallën gjyqësore.
Nëse nuk e respektojnë këtë, paralajmëroi se në seancën e ardhshme do t’u merren nga policia gjyqësore.
Të akuzuarit, mes të cilëve edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski si edhe 20 persona të tjera, morën pjesë në seancën e sotme. Gruevskin e mbrojnë gjashtë avokatë: Donço Nakov, Sterjo Zikov, Dimitar Dangov, Sanja Aleksiq, Boro Tasevski dhe Elenko Milanov.
Në “Titanik”, që është lënda e parë e PPS-së, akuzohen ish- funksionarët, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Biljana Brishkoska Boshkovski. Të akuzuar janë edhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.
Ata dyshohen nga PPS-ja për bashkëpunim kriminel, shkeljen e së drejtës së zgjedhjes, shkeljen e lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrimin e materialit zgjedhor dhe për keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore në vitin 2012.