Shkup, 11 maj – Gjykimi për rastin “Titanik 3” të PSP-së do të vazhdojë më 19 qershor, Në këtë lëndë në bankën e të akuzuarve janë Ejup Alimi dhe Ismet Guri sepse si anëtarë të Komisionit Zgjedhor Komunal në Çair “kanë shkatërruar material zgjedhor”.
Të akuzuarit në seancën e sotme thanë se e kuptojnë aktakuzën që e prezanton prokurorja Fatime Fetai, por se nuk ndjehen fajtorë.
Sipas PSP-së, dy të akuzuarit me veprimet e tyre kanë ndikuar drejtpërdrejtë ndaj rezultatit zgjedhor.
“Ata kishin prirje kriminele për ta falsifikuar vullnetin zgjedhor të qytetarëve të Çairit me qëllim që të realizojnë fuqi politike”, theksoi prokurorija Fetai. Që të dy sipas saj, kanë kryer dhunë brutale mbi shifrat zgjedhorë, konform nevojave të tyre politike. Të pakënaqur nga rezultati i vërtetë zgjedhor ata kanë formuar grup për veprim, respektivisht kanë pasur për qëllim të gjenerojnë rezultat të volitshëm zgjedhor. Me kërcënim kanë arritur ta thyejnë rezistencën e dëshmitarëve dhe i kanë kyçur drejt vetes. Grupin e kanë siguruar sipas shprehjes së njohur për shkopin dhe karotën, respektivisht i kanë shantazhuar me fjalët “nëse nuk e bën këtë nuk do të kalosh mirë. Kemi marrëveshje me VMRO-DPMNE-në, nuk do t’ju ndodh asgjë”, theksoi prokurorja Fetai.
Avokatët e Alimit dhe Gurit para gjykatës thanë se me më shumë dëshmi gjatë procedurës do të dëshmojnë se klientët e tyre nuk janë fajtorë, si dhe se me momentin kontestues të aktakuzës nuk kanë pasur kurrfarë funksioni me çka do të ndikonte që të bëhet vepra penale për të cilën i akuzon PSP-ja.
Paraprakisht sot erdhi deri në ndryshime të këshillit gjyqësor, kështu që në vendin e gjykatëses Gordana Spirovska, e cila për shkak të bashkësortit para disa ditëve e lëshoi urgjent gjykimin, tani është bashkëzgjedhur gjykatësja Lubinka Bashevska. Lëndën “Titanik 3” edhe më tej do ta udhëheq gjykatësja Ola Ristova.
Gjykata, gjithashtu çara fillimit të fjalëve hyrëse e refuzoi kërkesën e avokatit Elenko Millanov për përjashtim të prokurores speciale publike Katica Janeva që u kërkua në seancën e para tre ditëve.