Shkup, 31 tetor – Korrigjimi i procesverbaleve për zgjedhjet lokale në Çair në vitin 2013 nga funksionar të BDI-së është realizuar në marrëveshje me VMRO-DPMNE-në. Në rrëfimin e tij, Veton Kiki, dëshmitar i Prokurorisë Speciale Publike në rastin “Titanik 3”, tha se Ismet Guri, gjatë dorëzimit të materialeve zgjedhore në Komisionin Zgjedhor Komunal (KZK), në Çair, i ka thënë se përmirësimi i procesverbaleve duhet të bëhet për shkak se ashtu janë marrë vesh me VMRO-në.
“Procesi zgjedhor gjatë ditës u zhvillua në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Me përmbylljen e vendvotimeve, ne si Këshill zgjedhor filluam numërimin dhe mbledhjen e votave (materialeve). Diku para apo pas mesnate, nën shoqërimin e policisë i dërguam materialet në KZK-Çair. Me të hyrë në komunë, para zyrës së KZK-Çair, kishte pritje të gjata. Nuk më kujtohet se kush ishte me mua. Ndërkohë, Ismet Guri dhe Qani Toçi si anëtarë të KZK-së, m’i kërkuan procesverbalet, gjegjësisht Guri më tha se të njëjtat duhet të përmirësohen për arsye të marrëveshjes që kanë me VMRO-DPMNE-në. Unë ashtu edhe veprova. Më pas i dorëzova materiale dhe u largova”, tha dëshmitari Kiki.
Pas deklaratës së dëshmitarit Veton Kiki, se i akuzuari Ismet Guri ia kishte përmendur marrëveshjen me VMRO-DPMNE-në, pati një shkëmbim fjalësh mes dëshmitarit dhe të akuzuarit, me çka prokurorja speciale Fatime Fetai, kërkoi që gjykata ta ndalojë bisedën mes personave të theksuar. Përves prokurorëve dhe avokatëve, dëshmitarit Kiki pyetje direkte i parashtroi edhe i akuzuari Ismet Guri, gjegjësisht kërkoi të sqarojë se kujt ia kishte dorëzuar materiale dhe vulat… (më gjerësisht në numrin e sotëm të gazetës KOHA)