Tiranë: Trafikimi i njerëzve në Ditën Ndërkombëtare

Linja e njohur për Këshillimin e Fëmijëve Alo 116 publikoi sot një raport, në Ditën Ndëkombëtare Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, sipas të cilit abuzimet dhe trafikimet e fëmijëve shqiptarë vazhdojnë në nivele shqetësuese.

Fluksi i telefonatave denoncuese në këtë shërbim 24 orësh është ende shumë i lartë për dhunë ndaj fëmijëve, dhunë në familje, abuzimi fizik dhe shfrytëzimi i tyre ekonomik.

Ajo çka arrin të denoncohet në Linjat e Këshillimit është vetëm maja e ajsbergut të abuzimit me fëmijët.

Policia ka bërë të ditur se gjatë viteve 2015-17 rreth 50 fëmijë ishin viktima të trafikimit, por organizatat joqeveritare pohojnë se pjesë e trafikimit të qenieve njerëzore janë mbi 2500 fëmijë që jetojnë në situatë rruge dhe shfrytëzohen për punë, duke u bërë viktima të mundshme e të padokumentuara të abuzimit dhe trafikimit.

Drejtuesi i Linjës së Këshillimit Alo 116, Mirgit Vataj, thotë se kjo është arsyeja pse Shqipëria ende vazhdon të konsiderohet vend-burim i viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore.

Sipas të dhënave të policisë, në 3 vitet e fundit u vlerësuan të humbur 365 fëmijë, dhe u gjetën e u kthyen në familje 353 prej tyre, të cilët në kohën e ndërmjetme mund të kenë qenë viktima të trafiqeve njerëzore, por 12 prej tyre ende nuk janë gjetur.

Dhuna në familje, abuzimi fizik, shfrytëzimi ekonomik, bulizmi midis vet fëmijëve, problemet që ata ndeshin në shkollë me mësuesit dhe me njëri – tjetrin janë disa nga shqetësimet më të shpeshta që raportohen në Linjën e këshillimin e fëmijëve.

Të pambrojtur janë edhe jetimët socialë, fëmijet që gjenden në mesin e dhunës midis babait dhe nënës, e që mbeten pa njërin prind prej burgimit ose arrestimit të tyre.

Vëzhguesit besojnë se tashmë që Shqipëria ka një ligj të ri për mbrojtjen e fëmijëve, që është në fazën e pajisjes me akte nënligjore, është edhe rasti më mirë që të rishikohen të gjithë institucionet dhe problemet e kësaj fushe. Ata besojnë se të tre institucionet kryesore famija-shoqëria dhe shkollat ende nuk arrijnë të koordinohen për zhvillimin e fëmijëve, ndërsa shërbimet komunitare mungojnë në pushtetin vendor.