Taulant Seferi është goditja e madhe e Tiranës në merkaton e janarit, edhe pse fillimisht u lëkund për faktin se bardhebluve iu bllokua merkato për t’u çliruar menjëherë më pas… Bardheblutë arritën akordin me Young Boys për huazimin e sulmuesit shqiptar deri në fund të sezonit.
Lojtari i kombëtares shqiptare foli në konferencën e prezantimit rreth aventurës së re.
“Kisha parakontrate me një ekip në Zvicër. Isha në shtëpi dhe në një çast më mori në telefon Osmani, drejtori sportiv i Tiranës. Patëm një bisedë të mirë, e njoh që më parë. Të nesërmen më erdhi oferta zyrtare dhe nuk ishte e vështirë për të ardhur këtu. Tirana është një klub i madh, ka një tifozeri të zjarrtë në Ballkan. Nuk jam menduar shumë për ardhjen këtu, Tirana është një klub i madh dhe besoj do e ndihmojmë njëri-tjetrin”, u shpreh futbollisti kumanovar.
“I kam parë disa ndeshje kryesore të Superiores, ka kualitet më të mirë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Besoj se do përshtatem shpejt, pres të fitoj një eksperiencë të mirë dhe rezultate të mira. Do jap maksimumin, shpresoj të dalim të gjithë të kënaqur në fund”, shtoi më tej ai.
Seferi ka folur edhe për derbin e madh me Partizanin
“Mezi po pres të luaj, por nesër do të bëj stërvitjen e parë dhe po mendojmë për Kastriotin. Më pas do mendojmë për Partizanin, besoj se do të jem i gatshëm“, deklaron sulmuesi 24-vjeçari nga Kumanova.