Tiranë, 15 maj – Qeveria shqiptare solli vendim për liberalizim të tregut të punës për shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, si edhe ata nga Mali i Zi, kumtoi në profilin e tij në Fejsbuk ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj, informon Koha.mk
Kjo do të thotë se shtetasit e të dy vendeve, e të cilët kanë prejardhje etnike shqiptare, në të ardhmen nuk duhet të posedojnë leje pune apo vërtetim se janë të angazhuar me punë nga ndërmarrja ku punojnë.
Paraprakisht vendim të këtillë Qeveria në Tiranë solli për shqiptarët nga Kosova dhe nga Lugina e Preshevës.
“Ky vendim është pjesë përbërëse e përpjekjeve të Qeverisë për liberalizim të tregut të punës për shqiptarët në tërësi. Pa marrë parasysh atë që kjo mund të duket si aksion pa ndikim urgjent apo tingëllon si nismë plotësisht simbolike, ky është hap i domosdoshëm për rritjen e lidhjeve të Shqipërisë me shqiptarët në vendet fqinje pa dallim”, shkroi Cakaj.
Shton se ky vendim, megjithatë, është vetëm pjesë e pakos më të gjerë të masave që Shqipëria i planifikon për afrimin e shqiptarëve në tërësi.
“Së shpejti do të shihemi me vendime të ngjashme”, qëndron në fund të tekstit të postuar të Cakajt.
Në komentet mund të vërehen ata të cilët vendimin e këtillë e përshëndesin deri te ata të cilët nuk dakordohen sepse, siç cekin, “në Shqipëri nuk ka vende pune për ta, e jo për ata nga vendet fqinje”. (koha.mk)