Shkup, 11 nëntor – Procesi i ratifikimit të Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së veriut në NATO është në rrjedhë dhe pa probleme duhet të ratifikohet në Francë deri në fund të vitit, tha sot ambasadori francez në vend, Kristian Timonie, informon KOHA.
Timonie deklaratën e dha pas komemoracionit në varrezat ushtarake franceze në Shkup, me rastin e Ditës së pajtimit pas Luftës së Parë Botërore dhe Ditës së pikëllimit popullor.
Protokollin për anëtarësimin tonë në NATO, përveç Francës, duhet ta ratifikojnë edhe Holanda deh Spanja.
Timonie, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me “shengenin e vogël” që është nismë e liderëve të Ballkanit Perëndimor, tha se çdo bashkëpunim në këtë rajon është i mirëseardhur.
“Gjithsesi ajo ishte edhe porosia e presidentit Emanuel Makron që e dha në Sofje se çdo bashkëpunim në këtë rajon mes vendeve nga Ballkani Perëndimor është i mirëseardhur, sepse siç po shihni edhe sot bashkëpunimi deri ku na solli, se ai ka vetëm fryte pozitive, dhe Franca e mbështetë llojin e tillë të bashkëpunimit”, tha Timonie.
Në Varrezat ushtarake franceze në Shkup sot ambasadat e Francës dhe Gjermanisë mbajtën komemoracion me rastin e Ditës së pajtimit pas Luftës së Parë Botërore dhe Ditës së pikëllimit popullor.
Përfaqësues të autoriteteve shtetërore dhe komunale, si dhe të korit diplomatik dhe shoqërisë civile me atë rast vendosën lule para përmendores së luftëtarëve të rënë, në ditën kur Franca dhe Gjermania e shënojnë pajtimin mes dy shteteve si edhe një dëshmi për miqësinë franceze-gjermane.
Në komemoracion u lexua edhe porosia e sekretares shtetërore në Ministrinë franceze të Forcave të Armatosura, Zhenevjev Dariesek, ku thuhet se një vit pas përfundimit të betejave nga Lufta e madhe, më 11 nëntor të vitit 1919, Armëpushimi për herë të parë u shënua pasi që u kthye paqja.
“Në këtë ditë Kombi i jep respekt të veçantë edhe ushtarëve të cilët e humbën jetën për Francën në operacione paqësore. përmes përmendores nacionale të ngritur për përkujtimin e tyre, presidenti i Republikës e shkruan në gur, njejtë si edhe në kujtesë, tërë mirënjohjen e një kombi të tërë për luftëtarët e vet”, ceket në porosinë e ministres Dariesek. (koha.mk)