Vjollca SADIKU
Dibër, 20 mars – Një ndër Agjensionet e jashtme, të cilët kanë ndihmuar realizimin e projekteve të shumta në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, është edhe Agjensioni për zhvillim ndërkombëtar TIKA e Republikës së Turqisë, shkruan gazeta KOHA. Në të dy komunat, në vitet e fundit janë përkrahur shumë projekte me vlera milionëshe, të cilat drejtpërdrejtë kanë ndikuar në zhvillimin e të dy komunave.
Në Komunën Dibër me mjetet të TIKA-s të Turqisë është ndërtuar objekti i shkollës së mesme komunale “28 Nëntori”, është bërë rregullimi i varrezave të vjetra të Dibrës nga koha osmane, janë përkrahur projektet në sferën e objekteve fetare islame, por njëkohësisht TIKA ka dhënë përkrahje për realizimin e projekteve të ndryshme edhe në sektorin joqeveritar. Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, disa herë ka vlerësuar se projekti për ndërtimin e objektit të ri të gjimnazit të Dibrës është një investim kapital i Agjensionit qeveritar turk, Tika, i cili kap vlerën prej afro 3 milionë euro. Bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe Agjensionit në fjalë ka kontinuitet dhe është në nivelin e duhur. Këto ditë në Dibër kanë qëndruar përfaqësues të lartë të këtij Agjensioni, të cilët përgatisin një projekt për rikonstruimin e xhamisë mbretërore në Dibër, asaj të Inqarit si dhe rikonstruimit të Hamamit të vjetër, i cili është në afërsi të kësaj xhamie që klasifikohet si xhamia më e vjetër në Ballkan.
Në Komunën Qendër Zhupë, në të cilën jetojnë edhe shqiptarë, Agjensioni Tika, po ashtu ka përkrahur projektet kapitale, të cila peshojnë shumë miliona euro. Afro 2 milionë euro ky Agjension ka ndarë në realizimin e ujësjellësit Lluçishtë – Qendrë Zhupë. Me ndërtimin e këtij ujësjellësi, është stabilizuar situata me furnizim me ujë në këtë komunë. Disa milionë euro janë ndarë po ashtu nga Agjensioni Tika për ndërtimin e Shtëpisë muze të prindërve të themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, në fshatin e lindjes të babës së tij, Riza efendi, në fshatin e tij, Koxhaxhik. Ndërtimi i këtij muzeu ka domethënie të madhe për Komunën Qendër Zhupë, në të cilën në shumicë jeton popullata turke. Kryetari i Lomunës Qendër Zhupë, Arjan Ibrahim, thotë se interesimi për të vizituar këtë muze, është i madh si nga turistët e vendit, ashtu edhe nga turistë nga Republika e Turqisë dhe shtet të tjera. Pushteti vendor i kësaj komune disa vite me radhë ka bashkëpunim shumë të mirë me Agjensionin qeveritar të Turqisë, Tika. Përveç dy projekteve kapitale, siç janë ndërtimi i ujësjellësit dhe ndërtimi i Shtëpis muze në Koxhaxhik, në këtë komunë, Tika ka përkrahur edhe shumë projekte të tjera. Janë projekte në sferën e arsimit, shëndetësisë, por edhe në sferën e kulturës, bashkëpunimit të administratës komunale e tjerë.
Të dy komunat në fjalë paralajmërojnë projekte të cilat do të realizohen me përkrahje të Agjensionit qeveritar të Turqisë – Tika edhe gjatë këtij viti. Udhëheqësit e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë, vlerësojnë se përkrahja e projekteve nga Agjensioni në fjalë ka ndikuar shumë pozitivisht në përmirësimin dhe zhvillimin e komunave. Përkrah Agjensionit për zhvillim ndërkombëtar amerikan USAID, Agjensioni turk Tika është një nga agjensionet të jashtme të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në përmirësimin e jetës së banorëve të këtyre komunave. Në Komunën Qendër Zhupë theksojnë se vazhdojnë të përgatisin projektet të cilët përsëri do t’ia ofrojnë Tikës për përkrahjen e tyre.
Të theksojmë se si Komuna Dibër ashtu edhe komuna Qendër Zhupë, përveç bashkëpunimit shumë të ngushtë që kanë me Agjensionin Tika, ata janë duke realizuar një bashkëpunim shumë të mirë edhe me disa komuna të Republikës së Turiqsë. Komuna Dibër ka një bashkëpunim në sferën e arsimit, pushtetit vendor, kulturës dhe të rinjve me komunën të Turiqsë Tekirdak-Kapakli, Komunën Bursa, Adapazarin etj. Janë komuna të cilat kanë edhe mërgimtarë nga Dibra dhe rrethina. Gjimnazi i Dibrës ka një bashkëpunim të ngushtë me gjimnazin e Komunës Tekirdak- Kapakli dhe ky bashkëpunim pritet të thellohet edhe gjatë këtij viti. Sa i takon Komunës Qendër Zhupë, ajo bashkëpunon me mbi 10 komuna të Turqisë. Por, bashkëpunimi më të ngushtë ka me komunën Bursa, Adapazar, Izmit etj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.