Në njësitet speciale të policisë dhe ushtrisë në Maqedoni, shqiptarët ende nuk kanë qasje dhe përderisa është kështu edhe rrëfimet për lojalitetin bëhen gjithnjë e më të bajatshme.
Llokman Selimi nuk ka nevojë të luajë trika zvarranikësh për t’u bërë “tigër”. 27 prilli i vitit të kaluar tregoi se kush është tigër i vërtetë e kush zvarranik që shkelet nga çizmet e huliganëve
Nga Emin AZEMI
Deri më tani nuk ka kurrfarë ndryshimi apo paralajmërimi për riemërime të komandantëve dhe zëvendëskomandantëve të rinj në njësinë special “Tigrat”. Kështu kanë thënë burime të MPB për shtypin maqedonas, pas njoftimeve se një shqiptar etnik do të përfshihet në këtë njësit. Bëhej fjalë për Llokman Selimin, i cili është paralajmëruar se mund të jetë zv.komanadant i njësitit special “Tigrat”, një pozicion ky i paarritshëm deri më tani për kuadro shqiptarë. Selimi është një efektiv i forcave speciale të policisë me origjinë nga Haraçina e Shkupit. Ai edhe mund të jetë një nga udhëheqësit e “Tigrave”, ndonëse për këtë nuk ka njoftim zyrtar, por mënyra se si ky informacion u plasua në mediat maqedonase ishte gati si një dridhje që shkakton rënia e ndonjë asteroidi gjigant në tokë. Gazetaria “hulumtuese” maqedonase mendon se ardhja e një kuadri shqiptar në këtë njësi të specializuar, paraqet lajm madhor. Dhe furia e këtij lajmi ka për qëllim të mbështjell publikun me efektin spektakular të një ngjarjeje, e cila nuk do të duhej të ndodhte. Pra, kësaj gazetarie nuk i bën përshtypje fakti se kjo njësi është e pastër etnikisht me maqedonas dhe e specializuar për të ndërhy në lagjet dhe shtëpitë e shqiptarëve, ku dorën në zemër mund të ketë edhe ndonjë keqbërës, por i bën përshtypje që këto aksione do të mund t’i udhëheq edhe ndonjë kuadër shqiptarë.
Një shtet demokratik nuk mund të ndërtohet duke na e shitur “pastërtinë etnike” si garancë e funksionimit të disa segmenteve të sigurisë. Se çfarë “garance” mund të japin këto segmente, dëshmuan ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar, kur të ashtuquajturit efektivë special lëshuan pantallonat para turmave huligane të rrugës që ia mësyen Parlamentit. Askush nuk do ta besonte se në ato ngjarje të përgjakshme do të dilte një kuadër shqiptar që do të shprehte gatishmërinë e rrezikimit të jetës së tij për të mbrojtur jetën e deputetëve dhe integritetin e institucionit shtetëror. Është po ai kuadër që tani propozohet të jetë zv.komanadant i “Tigrave”, për të cilin gazetaria maqedonase ende nuk ka dhënë “vizë”.
Shqiptarët ende nuk kanë qasje në njësitet speciale të policisë e ushtrisë. Janë edhe disa institucione ku “pastërtia etnike” konsiderohet si etiketë e shenjtë që e bën maqedonizmin më superior. Në fakt , ky realitet jep të kuptosh se mendësia nuk ndryshon shpejt, sidomos kur duhet të pranohen shqiptarët si vlera të një shoqërie që proklamohet e barabartë për të gjithë. Ajo çka e bënë këtë mendësi edhe më vajtuese është bindja e formuar në kokat e disa intelektualëve e gazetarëve maqedonas, të cilët habiten me realitetin që duhet të përfshijë një diversitet gjuhësh e kulturash. Ata ende mund të kenë ndonjë nostalgji për Beogradin e Esad Mekulit që ishte zemërgjerë me shqiptarët sharraxhinjë. “Dru me pre”, ishte refreni i një apoteoze të dhimbshme jo vetëm sociale, por edhe i një realiteti që krijonte hierarkinë e qytetarëve superior dhe katundarëve inferior. Këta të fundit ishin të parapaguar të jenë shqiptarë dhe atyre nuk iu lejohej kurrfarë fisnikërie dhe qytetarie në sjelljet e tyre.
Tani kur një shqiptar(vetëm një, jo më shumë) propozohet të jetë në komandën e njësitit special “Tigrat”, askush prej mediave maqedonase nuk e ka marrë mundin të sheh biografinë e këtij djaloshi. Të shohin se ai është një kuadër që i del zot punës së tij, se ai rrjedhe prej një familje fisnike dhe se të qenit me uniformë zyrtare nuk paraqet kurrfarë kërcënimi për shtetin që ende nuk e gjeti një emër që do të kënaqte të gjitha palët. Janë po të njëjtat media që transmetojnë top listat britanike të këngëve hit që emetohen brenda javës, e ku Dua Lipa si zakonisht është në krye të këtyre listave. Por asnjë gazetari në Londër nuk i ka rrjedhë mendja të vë në dyshime cilësinë e vokalit të kësaj këngëtareje, e cila nuk e ka fshehur se është me origjinë shqiptare. Ngjashëm është edhe me Rita Orën, Bebe Rexhën, Gjerdan Shaqirin, të cilët u bënë të famshëm jo pse janë shqiptarë, por pse shqiptarësinë e tyre askush nuk e mori si alibi për të mohuar vlerat që kanë. Përkundrazi, në një botë të lirë, ku njeriu vlen më tepër se kurthet e përkatësive e identiteteve, mund të jenë të suksesshëm edhe ata që jo domosdoshmërisht duhet të jenë etnikisht britanikë, zviceranë, amerikanë etj.
Në Maqedoni është pak më ndryshe. Këtu ende besueshmëria matet ose në bazë të një lojaliteti të skajshëm që mund të përkthehet edhe si zvarritje për një kothere bukë pushteti, ose në bazë të një kosmoplitizmi që si kush ka heqjen dorë nga përkatësia etnike.
Në njësitet speciale të policisë dhe ushtrisë në Maqedoni, shqiptarët ende nuk kanë qasje dhe përderisa është kështu edhe rrëfimet për lojalitetin bëhen gjithnjë e më të bajatshme.
Llokman Selimi nuk ka nevojë të luajë trika zvarranikësh për t’u bërë “tigër”. 27 prilli i vitit të kaluar tregoi se kush është tigër i vërtetë e kush zvarranik që shkelet nga çizmet e huliganëve. (koha.mk)