Një tifoz britanik i futbollit është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi kishte veshur bluzën e Katarit. Ali Issa Ahmed, 26 vjeç, nga Wolverhampton, thuhej se nuk ishte në dijeni të ligjit që ndalon këdo të shprehë simpati për Katarin.
Sipas BBC, kjo situatë ka sjellë një përplasje diplomatike. Britania reagoi menjëherë duke thënë se ka vendosur kontakte me shtetasin britanik dhe kërkoi shpjegime nga Emiratet.
Në faqen e saj, Ministria e Jashtme britanike paralajmëron këdo që udhëton për në Emiratet e Bashkuara Arabe që të bëjë kujdes duke mos shfaqur simpati për Katarin në median sociale apo kudo tjetër sepse konsiderohet fyerje dhe rrezikon burgosjen dhe një gjobë të majme.
Aktualisht Emiratet dhe disa vende të tjera në rajon janë në një situatë përplasje me Katarin, të cilin e akuzojnë se mbështet dhe sponsorizon grupet islamike.
Incidenti ndodhi gjatë Kupës Aziatike. Kur Katari eliminoi Emiratet gjatë këtij turneu, në drejtim të lojtarëve u hodhën objekte dhe këpucë. Katari fitoi turneun duke mundur në finale Japoninë.