Shkup, 24 shkurt – Maliq Beluli futbollisti nga Gostivari që luan për Ferizajn është plot optimizëm në prag të përballjes së parë në kuadër të kampionatit kosovar kundër Prishtinës. Beluli e shënoi golin e parë në fanellën e Ferizajt në fitoren minimale me rezultat 1:0 ndaj Gjilanit duke ia siguruar kështu skuadrës së tij vizën për në çerekfinalen të Digitalb Kupa e Kosovës. “Ishte ndeshja ime e parë zyrtare me klubin tim te ri, KF Ferizajn. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme dhe përpos gjithë kësaj jam edhe shumë i lumtur që shënova golin tim të parë në debutim dhe ai gol na avancoi për në çerekfinale të Kupës së Kosovës”, tha Beluli për “Bota sot”. Futbollisti është adaptuar në mjedisin e ri: “Jam shumë i kënaqur me mjedisin e ri dhe normal si çdo futbollist edhe mua më është dashtë pak kohë derisa të ambientohem, por tash është gjithçka në rregull”, vazhdon më tej ai. Ndërkaq, Beluli premton maksimumin dhe sipas tij do të luftojnë për pikë të plota ndaj Prishtinës. “Të shtunën luajmë kundër Prishtinës e cila lufton për titull, por ne në çdo ndeshje do të luftojmë për pikë të plota. Sepse situata jo e lakmueshme”, përfundoi futbollisti nga Gostivari.