Në shënjestër të shumë mediave maqedonase, të cilat vazhdojnë të mos e njohin gjuhën shqipe, ishte edhe kënga e “Shvercerave”, kushtuar 30 vjetori të grupit. Me tendencë për të dëshmuar se në TPM-ë është kënduar kundër Maqedonisë dhe historisë së saj, mediat në gjuhën maqedonase tekstin “Qe 30 vjet, Tu shku në çdo vend e qytet, Historia jemi ne,Tu dhanë shkollë e mentalitet”, e keqinterpretuan pjesën dhe fjalën “Historia jemi ne”, (e cila i dedikohet grupeve rivale) dhe ia adresuan komunitetit maqedonas
Omer XHAFERI
Shkup, 26 nëntor – Një javë para datës 22 nëntor, nëpër rrjetet sociale, përfshi edhe faqen zyrtare të “Shvercerave”, në Facebook, u paralajmërua se manifestimi qendror për shënimin e 30 vjetori të këtij tifozësh do të realizohet në Teatrin Popullor të Maqedonisë. Fillimi i kësaj feste ishte caktuar për ora 21:30. Paraprakisht akademinë solemne për Ditët e Alfabetit, më 22 nëntor, e kishte organizuar Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënies mes Bashkësive, shkruan gazeta KOHA.
“HEROI I 27 PRILLIT”, NXITËS I FUSHATËS ANTISHQIPTARE
Akuzat për vandalizëm dhe dëmtim të skajshëm të Teatrit Popullor të Maqedonisë së Veriut, (TPM) pas manifestimit të grupit të tifozëve “Shvercerat Shkup”, nuk u vërtetuan nga asnjë medie maqedonase. Flamurtar i kësaj fushate të paskrupullt se gjoja TPM-ja është përmbysur nga “Shvercerat Shkup”, ishte tenori Igor Durllovski, (organizator i ngjarjeve të 27 prillit) i cili me shpërndarjen e disa inserteve nga kremtimi i 30 vjetorit të themelimit të tifozëve të KF Shkupit, shkaktoi reagime të papara te komuniteti maqedonas.
Këtyre reagimeve, (të cilët gjatë gjithë kohës plasoheshin pa prezantuara fakte nga dëmtimet) për shkurt kohë iu bashkëngjitën gati gjitha mediat në gjuhën maqedonase edhe partitë politike. Por, çdoherë pa publikuar as edhe një provë të vetme mbi dëmtimin e enterierit të Teatrit, ashtu siç pretendonin organizatorët e kësaj fushate.
Prezantimi i dokumentarit “30 vjet krenari”, këngët, brohoritjet dhe ndarja e mirënjohjeve që “Shvercerat” ua bënë ish legjendave të klubit, nuk zunë hapësirë në asnjë raport të mediave maqedonase. Për nënkryetarin e VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, prezenca e një tifo grupi në sallën e TPM-së, është kulmi i jo kulturës dhe egërsimit. Ndërkohë zhvillim i fushatave politike dhe mitingjeve të VMRO-së, brenda TPM-së, për Nikollovskin është avangardë dhe qytetërim. Në grackën e propagandës anti shqiptare ra edhe vetë kryeministri Zoran Zaev, i cili tha se për këtë ngjarje është njoftuar nga mediat, duke precizuar se nuk ka dijeni për dëmin që është bërë.
Analisti politik Albert Musliu, duke i komentuar ngjarjet e fundit në TPM-ë, thotë se fushata parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut, ka filluar që ditën ku u shpallën zgjedhjet. Reagimet e fundit rreth TPM-së, ai i vlerëson si një formë për të fituar ndonjë votë.
“Strategjia e inspirimit të ndjenjave nacionaliste u dëshmua, së paku vitet e fundit, se nuk ka ndonjë përfitim politik. Në situatë më jo komode duhet të kenë qenë mediat, të cilat tentojnë ta prezantojnë veten si objektive kur bëhet pjesë e fushatës. Sidoqoftë, nëse janë sjellë në mënyrë të papërgjegjshme duhet të japin përgjegjësi, por kjo nuk bën që shoqëritë në Maqedoni të jenë peng i grupeve. Ndërkohë, nëse ‘Shvercerat’, përfolën si dëmtues dhe kjo nuk vërtetohet, atëherë përfundimisht është koha që ata të reagojnë dhe të iniciojnë padi kundër atyre që ua kanë dëmtuar reputacionin”, thotë Musliu.
EKIPI I GAZETËS KOHA NUK KONSTATOI KURRFARË DËMI
Për tu informuar nga afër me realitetin gazeta KOHA, të martën e vizitoi brendësinë e TPM-së, dhe i konstatoi “dëmtimet” e ndryshme që drejtoria e Teatrit thotë se janë bërë mbrëmjen e 22 nëntorit, gjatë festës së “Shvercerave”. Mirëpo, gjendja faktike e ulëseve dhe inventarit të teatrit për dallim nga prezantimi më media aspak nuk përputhej me realitetin. Ekipi i gazetës KOHA, gjatë këtij kontrolli nuk vërejti asnjë ulëse të jetë e dëmtuar apo e shkatërruar, aq më pak e prishura apo e lënë funksioni. Përpos disa shiritave të drurit dhe mbajtëseve prej litari që pjesërisht ishin dëmtuar, dëmtime tjera nuk u vërejtën. Drejtoresha e TPM-së, Simona Ugrinovska, tha se ende nuk është bërë vlerësim i plotë i dëmtimit të bërë.
ÇKA NDODHI MBRËMJEN E 22 NËNTORIT NË TPM?
Para se të organizohej manifestimi në Teatrin Popullor të Maqedonis, aty rreth orës 20:00, afër Sheshit Skënderbe, filloi grumbullimi i turmës së qytetarëve, përfshi edhe “Shvercerat”, të cilët me këngë dhe brohoritje të ndryshme e filluan festën për kremtimin e themelimit të 30 vjetorit të grupit të tyre. Kolona nga Sheshi Skënderbeu drejtë TPM-së është nisur menjëherë pas orës 21. Më tu afruar të godina e TPM-së, vërehej prezencë e madhe e forcave policore. Brenda objektit të Teatrit, para se të futën “Shvercerat”, siç mësohet jo zyrtarisht kanë qëndruar edhe ekipe të Sektorit të Teknikës së Kriminalistiës , pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët e kanë kontrolluar çdo cep të teatrit. Gjatë këtij aksioni ata kanë shfrytëzuar dhe qenë profesionist për zbulimin e sendeve të dyshimta.
Siç mëson gazeta KOHA, ky intervenim i policisë është bërë me kërkesë të drejtoreshës së TPM-së, Simona Ugrinovska, ecila e ka alarmuar policinë se ‘po sulmohet Teatri nga grupe terroriste’ Të inspiruar nga shumë tifo-grupe në Evropë, “Shvercarat”, edhe kësaj radhe prezantuan një dokumentar “30 vite krenari”. Kohëzgjatja e tij nuk ishte më tepër se 30 minuta. Rrëfimet dhe përshkrimet e ngjarjeve të ndryshme gjatë 30 viteve të fundit ishin arsye që masa prezente të brohoriste dhe këndonte, ashtu siç bëjnë gjithkund tifozeritë. Pas përfundimit të dokumentarit fjalim mbajtën drejtuesit e klubit të futbollit Shkupi dhe personalitet tjera, në këtë rast kryetari i Komunës së Cairit, Visar Ganiu, të cilët kanë kontribuar për rikthimin e klubit në elitën e futbollit në vend. Ky event përfundoi me ndarjen e mirënjohjeve edhe falënderimeve për legjendat e Shkupit, të cilat kanë kontribuar në të kaluar për arritjen e titujve dhe sukseseve të ndryshme.
Në shënjestër të shumë mediave maqedonase, të cilat vazhdojnë të mos e njohin gjuhën shqipe, ishte edhe kënga e “Shvercerave”, kushtuar 30 vjetori të grupit. Me tendencë për të dëshmuar se në TPM-ë është kënduar kundër Maqedonisë dhe historisë së saj, mediat në gjuhën maqedonase tekstin “Qe 30 vjet, Tu shku në çdo vend e qytet, Historia jemi ne,Tu dhanë shkollë e mentalitet”, e keqinterpretuan pjesën dhe fjalën “Historia jemi ne”, (e cila i dedikohet grupeve rivale) dhe ia adresuan komunitetit maqedonas, se ja në qendër të TPM-së, brohoriten këngën nacionaliste, kundër shtetit dhe identiteti të tyre. (koha.mk)