Më shumë se kaq, pozicioni i llogoreve mund të shkojë mes tifozërive, por jo në raportet institucionale të klubeve, sepse futbolli ka kryefjalë të vetën “fair-play”-in. Në këtë kuptim, protesta e “Tirona Fanatics” duket e tepruar, edhe pse kjo është një çështje që u përket atyre. Vijësjellja konseguente e bojkotit ndaj skuadrës së zemrës është shoqëruar së fundi me një veprim prej ultrasish të vërtetë, si në vendet e huaja, teksa natën kanë varur një banderolë në rrethimin e vilës së presidentit Refik Halili. Edhe pse e konsiderojnë atë ish-president, sërish e kanë në shënjestër. Duket se inati do edhe shumë kohë që t’u dalë, ndoshta me mbarimin e këtij sezoni, ndaj në këtë drejtim shkon edhe veprimi më i fundit i “Tirona Fanatics”, përmbajtja e parrullave në baner, ku shkruhet: “Vitet do kalojnë, Tirona do bohet, turpi dhe tradhtia, kurrë s’do harrohen!” Ndërkohë, në faqen e tyre, ku është publikuar kjo parrullë, është edhe mesazhi tjetër: “Tifozat nuk flejnë, z.ish-president. Tirona do bohet!”
Tifozët e Tiranës i “ngrenë pritë” te shtëpia presidentit Halili
Mund të quhen tifozët më të pakompromistë në raste të veçanta, sa u përket kauzave të tyre, në futbollin shqiptar. “Tirona Fanatics” ka treguar se bën shumë për problemet që i shqetësojnë, nuk kursehen të dalin në mbrojtje të skuadrës së zemrës. Të vetmet protesta për probleme të një skuadre futbolli në Shqipëri janë bërë nga ata. Natyrisht, mund të ketë edhe teprime, sikurse janë ndërhyrjet dhe ultimatumet në vendimmarrjet e presidencës. Kjo e fundit njihet se i ka mbështetur shumë tifozët, edhe financiarisht, në rastin e Tiranës, ndaj nuk e meriton një braktisje e kthim shpine, siç po ndodh tani te bardheblutë. Harbimi dhe bojkoti i skuadrës pas lejimit të Partizanit për të luajtur në “Selman Stermasi” mund të kundrohet në mënyra të ndryshme, por realistët e shohin këtë gjë në kuadrin e një ekonomie tregu, ku duhet shfrytëzuar çdo burim të ardhurash financiare. Pra, 4 milionë lekë të vjetra, që paguan klubi i kuq për një ndeshje në “Selman Stermasi”, nuk janë pak për t’u rënë me shqelm askush.
Leave a comment