Kur dëgjon emrin Patrick Cutrone, vihet re gjithashtu një shkëlqim tek sytë e tifozëve të Milanit. E një shkëlqim jo dosido, pasi për ta, 20-vjeçari konsiderohet si e tashmja dhe mbi të gjitha e ardhmja kuqezi. Në ndeshjen kundër Olympiacos, Cutrone u fut si zëvëndësues në minutën e 54-ët, së bashku me Hakan Çalhanoglu, duke u bërë lojtarët të cilët ndryshuan fatin e takimit, të vlefshëm për fazën e grupeve të Europa League. Gjithashtu sulmuesi vjen nga një dëmtim në kaviljen e majtë, që pranoi se i dhemb ende, por gjithsesi arriti të shënojë një dygolësh, duke çuar në këmbë “San Siron”. Me 3 gola në 85 minutat e pasura në dispozicon këtë sezon, fansat e Milanit dëshirojnë patjetër Cutronen në 11-shen titullare, duke marrë parasysh edhe sintoninë që 20-vjeçari formon me Gonzalo Higuain. Zgjedhjet sa vijnë e bëhen më të vështira për Gattuson, i cili kënaqet me fitoren e dytë rradhazi të skuadrës së tij, e gjithashtu 6 pikëve në 2 ndeshje të Europa Ligës. Në ndeshjen e rradhës, kuqezinjtë do të ndeshen me Chievon po në San Siro, ndërkohë që pas pushimit të kombëtareve, do të vijë derby i shumëpritur kundër Interit.