Tifozët shqiptarë kanë dhënë mendimin e tyre se kë do ta duan në stolin e Kombëtares shqiptare dhe ai është, Besnik Hasi. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e ka humbur durimin mbas disfatës së mbrëmshme 0-2 me Turqinë, dhe ka reaguar menjëherë duke e shkarkuar Christian Panuccin gjatë ditës së sotme, raporton Gazeta Express, përcjell gazeta Koha. Christian Panucci u largua nga drejtimi i kombëtares së Shqipërisë pas një sërë rezultatesh negative dhe krijimit të një klime aspak të qetë në grup. Shqipëria tani është në kërkim të një zëvendësuesi të Panuccit dhe në mesin e disa emrave që lidhen me stolin e Kombëtares shqiptare, më së shumti përmenden Besnik Hasi e italiani, Edoardo Reja.
Në anketën e Gazetës Express, ku deri më tani kanë votuar afër një mijë tifozë, preferohet Hasi. Në pyetjen se cili preferoni që të bëhet përzgjedhës i Shqipërisë, fansat më së shumti kanë votuar për Hasin që ka marrë 81 % të votave.
Deri më tani, Reja ka marrë vetëm 9% të votave, ndërsa 10% do të donin një emër tjetër në stolin e Kombëtares. Lexuesit kanë votuar për trajnerin edhe në një postim të bërë në Facebook, ku shumica prej tyre, kanë zgjedhur Hasin para italianit, Reja.