Ndeshjet e Bundesligës filluan me një qetësi të pazakonshme, që mbizotëroi nëpër stadiumet e ndryshme të Gjermanisë gjatë 20 minutave të parë të çdo ndeshjeje. Tifozët e klubeve të Bundesligës kishin qëndruar të heshtur në fillim të ndeshjeve në shenjë proteste kundër orarit kur zhvillohet ndeshjet, çmimet e larta të biletave, si dhe komercializimit të futbollit, transmeton Gazeta Express. Për këtë protestë, klubet ishin paralajmëruar para ndeshjeve. Tifozët e Werder Bremen qëndruan të heshtur për 18 minuta, ndërsa ata të Hertha Berlinin i pritën 20 minutat e planifikuar. Ngjashëm kishte ndodhur edhe në ndeshjet e Bayern Munichut, Hannoverit dhe Freiburgut.
Protestat ishin të drejtuara për Federatën e Futbollit të Gjermanisë dhe Ligën e Futbollit të Gjermanisë pasi që ata kishin mbetur të pakënaqur me mbështetjen që i dhanë tifozëve pas takimit mes tyre.
Tifozët kishin marrë me vete banera me fjali si: “Imagjinojeni një futboll pa tifozë”, “Futbolli është për mua dhe për ty, jo për televizionet”. Tifozët e të gjitha klubeve të top tri ligave të Gjermanisë kanë protestuar gjatë ndeshjeve të djeshme dhe do të vazhdojnë edhe sot.