Blerjet e Realit të Madridit ndoshta kanë shërbyer si shkëndija e madhe, ose ndoshta zemërimi i akumuluar këto vitet e fundit, por tashmë tifozeria e Barcelonës ka shpërthyer kundër presidentit Josep Maria Bartomeu dhe në Twitter është kthyer në “trend” të momentit “BartomeuOUT”.
Presidenti i Barcelonës, përtej titullit kampion në sezonin e fundit, akuzohet për shumë gabime që ka bërë në epokën e tij. Sikur të mos mjaftonin dështimet në Champions, tashmë Barcelona po humbet garën për De Ligt dhe ndërkohë Reali mori talentin japonez Takefusa Kubo, i cili ishte i Barcelonës deri kur FIFA zbuloi se klubi blaugrana kishte shkelur rregullat për ta marrë në Spanjë.
Ja disa nga akuzat ndaj Bartomeut:
– Asnjë investim në La Masia
– Asnjë projekt sportiv
– E çoi klubin në gjyq për të pastruar emrin e vet
– Niveli i pagave është rekord botëror
– Shiti fanellën për paratë nga Katari (deri në epokën Bartomeu Barça nuk ka vendosur kurrë sponsor në fanellë)
– Ka braktisur filozofinë e klubit
– Ka shpenzuar miliona pa asnjë ide e asnjë plan, duke afruar lojtarë që nuk i përshtaten Barcelonës