Etrit Berisha nuk ka qënë në formën maksimale në ndeshjet e fundit të Atalantës, ndërsa 2 humbjet e fundit në kampionat ndaj Milanit dhe Torinos kanë bërë që skuadra bergamaske të lëshojë terren në objektivin për t’u kualifikuar në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm.
Tifozët e Atalantës, një pjesë të konsiderueshme të fajit për dy dështimet e fundit, ia kanë faturuar “gardianit” shqiptar. Në portalin “Calcio Atalanta” është hapur një sondazh për të zgjedhur portierin titullar në sfidën e radhës ndaj Fiorentinës në Kupën e Italisë. Pikërisht nga ky sondazh duket se tifozët e Atalantës janë të qartë për zgjedhjen e tyre, teksa ka rezultuar se 62.5 % preferojnë portierin e dytë Golini në vend të Etrit Berishës.
Megjithatë, ky është vendim vetëm i tifozëve. Zgjedhja i takon vetëm stafit teknik, me në krye trajnerin Gasperini, i cili në këtë sezon i ka besuar Berishës në pjesën më të madhe të ndeshjeve.