Tifozët dhurojnë një mijë palë këpucë futbolli për fëmijët refugjatë sirianë

Tifozët europianë dhuruan mbi një mijë palë këpucë futbolli për fëmijët sirianë që po strehohen në kampin e refugjatëve Zaatari në Jordani.

“Këpucët u mblodhën gjatë Turneut të Trofeut (Trophy Tour) të Europa Ligës së UEFA-së në sezonin e kaluar, i cili kaloi në tetë qytete europiane, në Gjenevë, Seville, Berlin, Londër, Milano, Moskë, Paris dhe Baku”, tha UEFA në një njoftim, transmeton atsh, përcjellë gazeta Koha. Në kuadër të turneut, tha UEFA, mbi një mijë palë këpucë futbolli u shpërndanë për fëmijët refugjatë sirianë në kamp.

“Pasi vizitova kampin e refugjatëve Zaatari, drejtpërsëdrejti pashë se sa të rinjtë pëlqejnë të luajnë futboll dhe çfarë do të thotë loja për ta”, tha Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-së.

Kampi i refugjatëve Zaatari në Jordani strehon më shumë se 80 mijë refugjatë të zhvendosur sirianë.